Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndryshimet që u miratuan në Kodin Penal!

Ndryshimet që u miratuan në Kodin Penal!

Me 85 vota pro dhe 9 kundër, Kuvendi miratoi një paketë ndryshimesh në Kodin Penal aktual, ndërkohë që Kodi i ri Penal vijon të jetë në fazën e konsultimeve. Një nga pikat që nxiti debat ishte dekriminalizimi i pjesshëm i shpifjes, i cili, sipas propozimit të qeverisë, përfshin vetëm gazetarët. Ata nuk do të mbajnë më përgjegjësi penale për shpifje, ndërsa kërkesa e Partisë Demokratike për ta shtrirë këtë ndryshim për të gjithë qytetarët u rrëzua nga mazhoranca.

Shpifja dhe mbrojtja e gazetarëve
Ndryshimet në nenin 120 “Shpifja” shoqërohen me masa shtesë për sigurinë e gazetarëve. Konkretisht, në nenet 237 “Goditjet për shkak të detyrës” dhe 238 “Kanosja për shkak të detyrës” parashikohen dënime më të ashpra: deri në 5 vite burg për dhunë ndaj gazetarëve dhe deri në 3 vite për kanosje për shkak të profesionit.

Parkimi dysh
Një tjetër risi është shtimi i nenit 293/1, i cili parashikon dënim deri në një vit burg për parkimin dysh dhe bllokimin e qarkullimit rrugor, me përjashtim të biçikletave dhe motorëve. Të gjitha procedimet për këtë shkelje do të referohen sipas këtij neni të ri.

Zënia e tokës
Neni 200, që më parë njihte “Pushtimin e tokës”, riformulohet si “Zënia e tokës” dhe zgjerohet në katër paragrafë. Dënimet rriten ndjeshëm, nga minimumi 6 muaj deri në 6 vite burg, veçanërisht për zyrtarët e institucioneve përgjegjëse për territorin, të cilëve u hiqet edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Ndërtimet pa leje
Ndryshimet në nenin 199/a ashpërsojnë ndëshkimet për ndërtimet pa leje, sidomos kur në to përfshihen zyrtarë publikë. Për këta të fundit, dënimi rritet deri në dy të tretat dhe shoqërohet me ndalim për të punuar në administratë deri në 5 vite. Në zonat e mbrojtura, penalitetet bëhen edhe më të rënda.

Zjarrvënia
Ndryshime të rëndësishme janë bërë edhe në nenin 206/a për zjarrvënien. Dënimet ashpërsohen në varësi të rrezikut, zonës së prekur dhe nëse zjarri është i qëllimshëm apo nga pakujdesia. Për herë të parë parashikohet që, në rastet kur zjarri vihet për të ndryshuar destinacionin e tokës, klasifikimi i saj të mos ndryshojë për 30 vite, krahas dënimit nga 7 deri në 15 vite burg.

Përafrimi me legjislacionin e BE-së
Paketa ligjore synon edhe afrimin me standardet e Bashkimit Evropian, duke forcuar ndëshkimet për pastrimin e parave, terrorizmin, trafikun e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore dhe krimet seksuale ndaj të miturve. Risia përfshin edhe kriminalizimin e mashtrimit që cenon interesat financiare të BE-së, me dënime që shkojnë deri në 10 vite burg për shuma mbi 50 mijë euro.

Terrorizmi dhe krimet e rënda
Ndryshimet në nenin 234/a rrisin ndjeshëm dënimin për pjesëmarrje në organizata terroriste, duke e çuar minimumin e dënimit në 15 vite burg. Gjithashtu, zgjerimi i juridiksionit penal përfshin edhe shtetasit e huaj rezidentë në Shqipëri, edhe kur veprat janë kryer pjesërisht jashtë territorit.

Kliko për të lexuar ndryshimet e plota të Kodit Penal