Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

OSBE për ndryshimet në Kodin Penal: Hap i rëndësishëm për lirinë e shprehjes

OSBE për ndryshimet në Kodin Penal: Hap i rëndësishëm

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka përshëndetur ndryshimet e fundit të miratuara në Kodin Penal lidhur me shpifjen, duke i cilësuar ato si një hap të parë të rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së gazetarëve.

Në një reagim zyrtar, OSBE thekson se forcimi i mbrojtjes ligjore për gazetarët përputhet me një rekomandim të hershëm të kësaj organizate. Megjithatë, ajo nënvizon se procesi duhet të vijojë më tej.
“Ne vazhdojmë të inkurajojmë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përdorimin e masave civile proporcionale”, thuhet në deklaratë.

Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal me 85 vota pro dhe 9 kundër, ndërsa Kodi i ri Penal mbetet ende në proces konsultimi. Një nga çështjet që shkaktoi debat ishte dekriminalizimi i pjesshëm i shpifjes, i cili, sipas propozimit të qeverisë, aplikohet vetëm për gazetarët.

Sipas ndryshimeve të miratuara, gazetarët nuk do të mbajnë më përgjegjësi penale për shpifje. Ndërkohë, kërkesa e Partisë Demokratike për ta shtrirë dekriminalizimin për të gjithë qytetarët shqiptarë u rrëzua me votat e mazhorancës./K.C/dritare.net