Nga studimet për IT në tenor, flet Ramë Lahaj: Kam kaluar dhimbjen në palcë gjatë luftës!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama këtë herë të ftuar në podkastin Flasim kishte të ftuar, tenorin Ramë Lahaj i cili ka treguar rrugëtimin e tij si artist ndër vite.
Tenori i njohur tregoi se arsimimi i tij në vitet ’90 për shkak të luftës ka qenë i vështirë, rrugëtim i cili është ndërprerë disa herë.
“Përsa i përket rrugëtimit për vite të tëra e kam provuar ta diskutoj mes miqsh kur kemi folur për rrugëtimet tona, kur fillimisht iu thoja që nuk kam shkuar as në kopsht sepse nuk kishte kopsht në fshatin ku isha rritur unë. Për shumë ishte periudha e viteve ’90 kur shkollat shqipe dhe po mbylleshin dhe gjithë shkollimi dhe i fillores, por dhe i shkollës së mesme ka qenë i improvizuar sepse mblidheshim nëpër shtëpi private siç e dini rrugëtimin e viteve ’90 të Kosovës. Pastaj në ’99 ngaqë lufta na kishte ardhur në shtëpi edhe sigurisht e ndihmonim luftën gjithsecili në formën e vet, por edhe unë si 15 vjeçar edhe pse isha kaq i gjatë sa jam sot, dashje padashje kam qenë pjesë e saj. Kam kaluar dhe e njoh dhimbjen në palcë të gjithë atij rrugëtimi edhe pse si fëmijë. Pastaj pas asaj kur u kthyem nga Shqipëria për në shtëpi, në Kosovë filloi lufta tjetër pas një kohe në Maqedoni dhe si mllef i kësaj të parës, ishim të vegjël, u bëmë disa shokë për ta ndihmuar atë luftën e dytë që ishte sot kur e mendoj, si duket mllefi, dhimbja ngarkesa ishte shumë e madhe dhe mendonim sikur po kontribuonim e po bënim diçka. Gjithësi kam vazhduar pas luftës një shkollë që kisha nisur para luftës, një shkollë që ishte një drejtim i ri sepse ishte fundi i viteve ’99 edhe filloi atëherë një drejtim i ri që ishte për IT, që nuk kisha lidhje fare”, tregon tenori.
Po ashtu tenori ka treguar si u bë pjesë e Akademisë së Arteve dhe të ndiqte ëndrrën e tij.
“Në fakt mbase kam dështuar në audicionin e parë të Akademisë së Arteve për ato 3, 4, 5 muaj që kisha filluar të punoja me pedagogë, qoftë pak në solfezh, qoftë pak në kanto që unë jam dhe sot e kësaj dite shumë falënderues sepse vërtetë të më vijë mua sot një talent i ri me gjithë këto kualitete do ta kisha të vështirë të gjeja forcën ta suportoja me gjithë ato mungesa në një moshë të tillë, kështu që ka qenë pas dështimit të audicionit të parë të Akademisë së Arteve. Pastaj audicioni i dytë ka qenë pas 6-7 muajsh nëse nuk jam gabim dhe i jam futur studimit dhe në proces e sipër edhe ndihma po dhe vokali po zhvillohej dhe për mua ishte akoma interesante për të kuptuar dhe për të realizuar si një qenie humane mundej të nxirrte një vokal që ishte më shumë sesa normale që unë kisha dëgjuar edhe pse vija nga një zonë që komunikonim me dorë pas veshit”, tregon ai.
Çfarë do tani që të rikthehesh edhe njëherë? Po çfarë mund të lesh prapa? A mund të kontribuosh, sidomos në Kosovë?
“Ne akoma nuk e kemi një teatër opere, ne akoma nuk e kemi një sallë koncertesh. Domethënë tek unë ka nisur si një nevojë dhe e kam ndjerë si obligim, si presion që duhet të fillojmë diçka. Për fatin tim të mirë të gjitha institucionet pa përjashtim më kanë dhënë mbështetjen e saj dhe ne patjetër që kemi bashkëpunime me Teatrin e Operas, TOB-in këtu në Shqipëri. Domethënë unë e kam ndjerë të nevojshme, kam ndjerë një lloj përgjegjësie për t’i dhënë edhe një dorë, të paktën me ato dy javët e aktivitetit që i ka festivali në Prishtinë dhe është një fakt për të ardhur keq kur sheh të gjithë ato talente që kanë një lloj, nuk po e kuptoj pse ka një lloj, nuk kanë një lloj, motivi siç e kemi patur, se tani po më duket vetja 70-vjeç”, shton ai.
Ndër të tjera tenori ka treguar se vjen nga një familje ku babai i tij lutej me ritualet dhe ka qenë shumë i hapur në aspektin e besimit.
“Në fakt, unë vij nga një familje ku babain e kam pasur Haxhi, sic i themi ne në Kosovë. Kam dalë nga shtëpia dhe kam ardhur në shtëpi duke e parë duke u lutur me ritualet e tij por në aspektin e besimit ka qenë shumë i hapur. Domethënë, edhe pse jam rritur në një provincë ku Bajramet apo festat e myslimanëve janë festuar në formë shumë fanatike, unë nuk jam zgjuar asnjëherë nga gjumi nga babai sepse duhet të shkoja në xhami në 4 të mëngjesit për Bajram. Domethënë, ka pasur një qasje fantastike sa i përket fesë, ku mua më ka lënë të lirë të rritem dhe të vendos. Besoj në Zot, besoj në karmë, besoj në univers, besoj verbërisht në energji kështu që kam një miks, po e zbus pak,të xhamisë dhe të kishës”, tregon ai./M.K-dritare.net