
Papa Leoni letër mirënjohjeje për Kryepeshkopin Joan
Dritare.net
Në një letër të ngrohtë dhe vëllazërore drejtuar Fortlumturisë së Tij, Joanit, Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Papa Leoni XIV ka shprehur mirënjohjen e tij për pjesëmarrjen e kryepeshkopit shqiptar në Liturgjinë solemne të përurimit të shërbesës papnore në Vatikan, më 18 maj 2025.
Papa e cilëson këtë pjesëmarrje si një "shenjë treguese e vëllazërisë së krishterë dhe e unitetit të besimit", duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në letrën e tij, Papa Leoni fton Kryepeshkopin Joani që ta mbështesë në lutje, në mënyrë që "Perëndia i Plotfuqishëm të më forcojë t’i shërbej atij dhe popullit të tij të shenjtë". Ai thekson rëndësinë e dëgjimit të Shpirtit të Shenjtë dhe bashkëpunimit për të nxitur unitetin mes të gjithë të krishterëve, në përputhje me lutjen e Jezusit "që të gjithë të jenë një" (Gjoni 17:21).
Letra e Papa Leonit vjen në një kohë kur marrëdhëniet ekumenike mes kishave të krishtera janë në qendër të vëmendjes dhe përpjekjet për pajtim dhe dialog ndërfetar po konsiderohen thelbësore për paqen globale.
Në fund të letrës, Papa e përmbyll mesazhin e tij me një përqafim simbolik dhe urimet për paqe e gëzim në Krishtin.
Më poshtë letra e plotë e Papa Leonit për Kryepeshkopin Joani:
"Fortlumturisë së tij, Joanit,
Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë
Këto ditë, pas përurimit të shërbesës sime si Peshkop i Romës dhe Pasardhës i Pjetrit, po ju shkruaj për t’ju shprehur mirënjohjen e thellë për afërsinë tuaj vëllazërore dhe për dashurinë që treguat kur morët pjesë, bashkë me delegacionin tuaj të nderuar, në Liturgjinë solemne në Vatikan, të dielën, më 18 maj. Pjesëmarrja juaj më preku thellë, sepse është shenjë treguese e vëllazërisë së krishterë dhe e unitetit të besimit.
Si një bashkëshërbëtor në vreshtin e Zotit, ju kërkoj me dashamirësi të vazhdoni të më mbështesni përmes lutjeve tuaja, që Perëndia i Plotfuqishëm të më forcojë t’i shërbej atij dhe popullit të tij të shenjtë. Ndërsa dëgjojmë së bashku se çfarë i thotë Shpirti i Shenjtë kishave (Zbulesa 2:7), le ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për të nxitur unitetin ndërmjet të gjithë të krishterëve, duke iu bindur vullnetit të Zotit Jezu ( Jn. 17:21), dhe të punojmë së bashku në mënyrë më të frytshme për pajtim dhe harmoni në botën tonë të përçarë.
Me këto ndjenja, vëlla i dashur, ju përqafoj ngrohtësisht me gëzimin dhe paqen e Krishtit, Shpëtimtarit tonë.
Vatikan, 17 qershor 2025", thuhe në letër./K.C/dritare.net

















