Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

BE flet qartë: Reforma në drejtësi ka dhënë rezultate, por sfidat mbeten!

BE flet qartë: Reforma në drejtësi ka dhënë rezultate,

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, deklaroi sot se reforma në drejtësi ka prodhuar rezultatet e pritura nga Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit europian, por theksoi se është e domosdoshme që këto hapa pozitivë të ruhen dhe të thellohen më tej.

Gjatë një takimi ku u diskutua mbi performancën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Gonzato e cilësoi këtë institucion si “fundamental” në arkitekturën e drejtësisë së re. Ai nënvizoi se vendimet gjyqësore kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, duke shtuar se “pavarësia pa llogaridhënie rrit rrezikun për abuzim me pushtetin”.

“Arkitektura e reformës në drejtësi ofron një balancë të drejtë mes pavarësisë dhe llogaridhënies. Reforma ka dhënë atë që pritej dhe ka kontribuar ndjeshëm në progresin e Shqipërisë drejt BE-së, por puna për zbatimin e saj duhet të vazhdojë me përkushtim”, u shpreh ambasadori.
Ai i inkurajoi institucionet e drejtësisë, veçanërisht ato të pavarura, që të vazhdojnë përpjekjet dhe të mos ndalen përballë presioneve të jashtme.

Vlerësim për KLP dhe procesin e emërimit në SPAK
Në qëndrimin e tij publik, Gonzato vlerësoi punën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), për përmirësimet që ka treguar në procesin e vlerësimit të prokurorëve.

“Kam pasur kënaqësinë të takoj KLP në formatin e tij të plotë. Vlerësimi ynë tregon për një ecuri të dukshme krahasuar me vitet e mëparshme. Vlerësimet bazohen në performancë dhe kjo është një qasje pozitive që duhet ruajtur”, tha ai.
Sipas ambasadorit, indikatorë si efikasiteti në trajtimin e çështjeve, aftësitë menaxheriale dhe etika në punë duhet të jenë pjesë e rishikimeve të vazhdueshme. Ai përmendi gjithashtu rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Shkollës së Magjistraturës në garantimin e standardeve dhe rritjen e llogaridhënies në sistem.

Gonzato vlerësoi edhe procesin transparent të zgjedhjes së kreut të SPAK, duke e cilësuar atë një model që duhet ndjekur edhe për emërime të tjera në drejtësi.

“Të shohim gotën gjysmë plot, jo gjysmë bosh”
Në përmbyllje të deklaratës së tij, ambasadori Gonzato u shpreh optimist për progresin e deritanishëm, por kërkoi vazhdimësi dhe përkushtim.

“Dua që gotën ta shohim gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh. Këto hapa pozitivë duhet të ruhen dhe të thellohen. Monitorimi nga shoqëria civile, transparenca dhe llogaridhënia janë thelbësore për çdo sistem demokratik dhe evropian”, përfundoi ai./K.C/dritare.net