Protestë kundër Ramës apo kundër Tiranës?
Dritare.net
Sot në Tiranë pamë një protestë që nisi si revoltë politike dhe përfundoi në zjarr. U dogjën kosha në disa zona të kryeqytetit. U sulmua godina e ish-shtëpisë së Enver Hoxhës, sot rezidencë artistësh, një hapësirë kulturore ku brenda ndodheshin krijues, njerëz të artit, qytetarë. Këto nuk janë më simbole politike. Janë hapësira publike.
Ndaj pyetja është? Kundër kujt ishte sot protesta e Sali Berishës? Kundër Edi Ramës, apo kundër imazhit të Tiranës?
Zjarri nuk është alternativë. Protesta është e drejtë kushtetuese. Revolta është mjet politik. Por zjarri në rrugë nuk është program qeverisës. Kur digjen kosha në mes të kryeqytetit, mesazhi që del jashtë Shqipërisë nuk është “demokraci në veprim”. Është “pasiguri”.
Në një moment kur Tirana është kthyer në destinacion turistik, kur vendi përpiqet të shesë stabilitet, pamjet e flakëve bëjnë xhiron e mediave ndërkombëtare më shpejt se çdo deklaratë politike.
Shtëpia e Enverit – simbol apo justifikim?
Po, ajo godinë ka histori. Por sot ajo nuk është më bunker pushteti, eshte hapësirë arti.
Sulmi ndaj saj nuk është përballje me komunizmin. Është sulm ndaj një hapësire civile. Nëse brenda ka artistë, njerëz që punojnë, krijojnë, jetojnë kulturën, atëherë mesazhi ndryshon. Nuk është revolucion simbolik. Është rrezik real për njerëz realë.
Kundër kujt ishte protesta?
Nëse ishte kundër qeverisë, atëherë duhej të kishte kerkesa politike. Por nëse përfundon në djegie, atëherë perceptimi bëhet tjetër:
Jo protestë kundër Ramës. Por pamje që dëmtojnë Shqipërinë. Demokracia forcohet me ide, jo me zjarr. Opozita fiton me alternativë, jo me flakë. Qeveria forcohet, kur opozita gabon me dhunë. Dhe sot, pyetja qe e ka brenda pergjigjen eshte; A ishte kjo një protestë për ndryshim politik? Apo një spektakël piroteknik që i dha Ramës avantazh moral?/dritare.net