Na ndiqni edhe në

Bota

Pas sulmeve në Iran, SHBA aktivizon alarmin global

Pas sulmeve në Iran, SHBA aktivizon alarmin global

Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar të shtunën një paralajmërim global për të gjithë qytetarët amerikanë, duke i këshilluar ata që të “kenë shumë kujdes” pas operacioneve ushtarake të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit.

“Në vijim të nisjes së operacioneve luftarake të SHBA-së në Iran, amerikanët në mbarë botën dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme duhet të ndjekin udhëzimet në njoftimet më të fundit të sigurisë të lëshuara nga ambasada apo konsullata më e afërt e SHBA-së,” thuhet në alarmin global.

Sipas njoftimit, qytetarët amerikanë mund të përballen me ndërprerje të udhëtimeve për shkak të mbylljeve periodike të hapësirave ajrore. “Departamenti i Shtetit këshillon amerikanët në mbarë botën të ushtrojnë kujdes të shtuar,” theksohet më tej.

Autoritetet amerikane u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre jashtë vendit që të regjistrohen në programin Smart Traveler Enrollment Program (STEP) për të marrë njoftime të drejtpërdrejta sigurie dhe të ndjekin kanalet zyrtare të përditësimeve, përfshirë ato në WhatsApp.

Departamenti i Shtetit kishte lëshuar një alarm të ngjashëm global edhe në qershor të vitit të kaluar, në të njëjtën ditë me operacionin e quajtur Operation Midnight Hammer, kur SHBA goditi objekte bërthamore iraniane./K.C/dritare.net