Ah sa shumë kemi humbur! Flasin qytetarët: Nuk jemi si dikur!
Dritare.net

Qytetarë të ndryshëm të intervistuar nga DritareTV shprehen se Shqipëria ka ndryshuar shumë ndër vite, por sipas tyre, ky ndryshim nuk ka qenë gjithmonë për mirë.
“Pa diskutim që ka ndryshuar, siç ndryshon çdo gjë me sistemin, me migrimin, me botën… por për keq ka ndryshuar,” thotë një qytetar, duke shtuar se nëse do të ishin ruajtur vlerat e mira të së kaluarës, situata do të ishte shumë më ndryshe sot.
Shumë prej të intervistuarve theksojnë se janë zhdukur vlera të rëndësishme si dashuria për vendin dhe përkushtimi ndaj punës. “Ka humbur geni i punës. Njerëzit nuk punojnë më si dikur,” shprehet një tjetër, duke kritikuar edhe shkatërrimin e institucioneve dhe mungesën e specialistëve në vend.
Një shqetësim i madh mbetet arsimi. Sipas qytetarëve, dobësimi i sistemit arsimor ka sjellë pasoja të rënda për shoqërinë. “Një vend që shkatërron shkollat, ka mbaruar,” thotë një ish-inxhinier, i cili kujton me nostalgji kohën kur, sipas tij, kishte më shumë profesionalizëm dhe siguri në punë.
Edhe marrëdhëniet njerëzore, sipas tyre, kanë ndryshuar ndjeshëm. “Nuk ka më respekt si më parë. Atëherë kolegët i kishim si vëllezër,” shprehet një qytetar, ndërsa një tjetër shton: “Sot gjithçka bëhet me interes, nuk ka më dashuri të sinqertë.”
Një pjesë e të intervistuarve që jetojnë jashtë vendit shprehen se ndonëse kanë mall për Shqipërinë, nuk e shohin ende si një vend ku mund të kthehen për të jetuar. “Mentaliteti, mungesa e punës dhe mënyra e jetesës janë arsyet kryesore,” thotë një emigrant.
Ndërkohë, të rinjtë përmenden si një nga grupet më të prekura. “I shohim prej vitesh të papunë, pa perspektivë. Nuk mendon njeri për ta,” shprehet një qytetar.
Megjithatë, disa qytetarë besojnë se zgjidhja ekziston. Sipas tyre, duhet investuar tek arsimi, të rikthehen specialistët e larguar dhe të rritet përgjegjësia qytetare. “Ky vend ndryshohet nga ne. Nuk ta rregullon askush tjetër,” shprehet një prej tyre.
Në fund, pavarësisht kritikave, vihet re edhe një ndjenjë nostalgjie për të kaluarën, sidomos për marrëdhëniet njerëzore dhe sigurinë sociale. “Më merr malli për shokët, për punën, për atë kohë,” përfundon një qytetar./K.C/dritare.net