
Rama: Rilindja urbane 2.0 nuk është aksion veror, do zgjasë 4 vjet
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se procesi për lirimin e hapësirave publike, i njohur si “Rilindja urbane 2.0”, nuk është një aksion i përkohshëm veror, por një program afatgjatë që do të zgjasë gjatë gjithë mandatit të katërt të qeverisë.
“Rilindja urbane 2.0 është program që do të vazhdojë 4 vjet dhe ky proces do të jetë konstant. Nuk është aksion apo sulm veror. Dhe ata që thonë se pse nuk e lije dot për në dimër, jo nuk e linim dot në dimër,” tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se arsyeja nuk lidhet me turistët, por me domosdoshmërinë për të shkundur bashkitë dhe për t’i çuar në një nivel tjetër të funksionimit.
“Çështja e turistëve lidhet me dy apo tre gjëra të tjera për të cilat do të flasim në shtator, duke filluar nga një pjesë e industrisë që nuk po mendon fare strategjikisht, por vetëm ‘kap çfarë të kapësh sot’, dhe po i bën gropën vetes nesër. Investimet nuk do t’i shlyejë nëse vendos çmime që do të përhapin shumë shpejt idenë se Shqipëria është shumë e shtrenjtë,” u shpreh Rama.
Ai paralajmëroi masa të forta edhe për sektorin e plazheve:
“Do të flasim edhe për plazhet, ku kemi bërë hap këtë vit, por të pamjaftueshëm. Do të marrim masa radikale edhe për plazhet. Por ama, shkundja e bashkive sot është domosdoshmëri.”
Sipas kryeministrit, procesi i nisur është pjesë e një transformimi afatgjatë të hapësirave publike dhe funksionimit të pushtetit vendor./K.C/dritare.net

















