
Rrëfimi tronditës i juristit Romeo Kara: Shoku im u vra në kufi, unë u arrestova
Dritare.net
Në një intervistë për emisionin Dekalog të Roland Qafokut në DritareTv, juristi dhe aktivisti Romeo Kara ka rrëfyer për herë të parë publikisht një kapitull të errët të jetës së tij gjatë regjimit komunist. Ai ka treguar historinë e përpjekjes për arratisje nga Shqipëria, që përfundoi me vrasjen e një shoku të tij në kufi dhe me arrestimin e vet Karës nga Sigurimi i Shtetit.
“Shoku im u vra në kufi. Ishim katër veta. Ai u qëllua, ndërsa dy të tjerë arritën të kalojnë. Unë u arrestova në shtëpinë e tij dhe u morra në pyetje nga Sigurimi."– rrëfen Kara, duke përshkruar ndikimin e thellë që kjo ngjarje pati në jetën e tij. “Kam qenë i traumatizuar për gjashtë muaj me radhë.", shton ai.
Romeo Kara flet për mënyrën si mësoi anglishten në fshehtësi, për vështirësitë që pati si fëmijë i prindërve të përjashtuar nga Partia, si dhe për diskriminimin që ndjente çdo ditë për shkak të biografisë.
“Unë e kuptova herët që në atë sistem nuk kishte meritokraci. Ishte një luftë klasash e heshtur por e egër. Me dy prindër të përjashtuar nga partia, unë nuk bëja dot një biografi. Kam qenë nxënës shumë i mirë, kam fituar olimpiada, por çdo hap më jepej me vështirësi."
Ai kujton se edhe pse ishte një nga më të mirët në shkollë, çdo përpjekje për të ecur përpara ndalej nga etiketimi politik që i ishte bërë që fëmijë. “Isha i vetëdijshëm që nuk mund të arrija askund, pavarësisht rezultateve. Diskriminimi të godiste në çdo aspekt të jetës,”– thotë ai./K.C/dritare.net

















