Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Salianji pas përjashtimit: Berisha ka humbur kështjellën e fundit, burrërinë

Salianji pas përjashtimit: Berisha ka humbur kështjellën e

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas skualifikimit të dy kandidatëve nga gara për kreun e PD-së, duke lënë Sali Berishën si të vetmin kandidat për zgjedhjet e 23 majit. Në një postim në rrjetet sociale, Salianji akuzon Berishën dhe drejtimin aktual të partisë se po e çojnë PD-në drejt “degradimit dhe shuarjes”, duke theksuar se ajo nuk mund të jetë “parti e një individi”. Ai e cilëson Berishën si “të konsumuar dhe të paaftë për të bashkuar opozitën”, ndërsa shton se çdo ditë nën drejtimin e tij është humbje për Partinë Demokratike.

Reagimi i Salianjit:

Standardi mizerabël se si Berisha po trajton Partinë Demokratike shpreh mungesën e thellë të përgjegjësisë historike për sakrificat e demokratëve që prej 13 vitesh dergjen në opozitë.

Shpërfaqja e këtij shtetari deri në degradim total me ndasi, me idiotësi, me miq dhe armiq imagjinar…. me rrena dhe gënjeshtra të poshtra që i kanë lënë demokratët 13 vite rrugëve, shprehin humbjen e e “kështjellës” së fundit që ai kishte arritur të fshinte: burrërinë.

Ai dhe rrethi që i kacavirret abuzon me besnikërinë dhe vlerat e demokratëve, duke i vendosur përballë një presioni moral: të heshtin “për respekt të moshës”, të heshtin përballë “ndereve që i janë bërë”, të heshtin para shuarjes së PD për shkak të lidhjes me të.

Kush mban përgjegjësi për humbjen më të thellë që nga 1997, me 11 Maj 2025? Kush i bëri listat? Kush hartoi programin banal sikur të ishte viti 1995? Kush e drejtoi fushatën?

Dhe pyetja më e rëndësishme: si do të fitojë Partia Demokratike?

Edhe demokratët më të fandaksur e dinë që me Sali Berishën dhe këtë lidership, nuk do fitohet kurrë.

Çdo ditë që ai qëndron në krye të Partia Demokratike e Shqipërisë është një humbje për opozitën dhe për Shqipërinë.

Koha punon vetëm për ndryshimin. Sali Berisha nuk mund ta përfaqësojë kurrë atë.

Ai është i konsumuar, i izoluar, i hetuar, i paaftë për të bashkuar opozitën.

Nuk mund të flasim për ndryshim në Shqipëri, duke refuzuar ndryshimin në PD. Ne nuk mund të kërkojmë votën e shqiptarëve kështu.

Partia Demokratike nuk mund të jetë kurrë e fortë pa garë, pa përfaqësim, pa përgjegjësi.

Çdo përpjekje për t’i shmangur këto e dobëson Partinë Demokratike dhe e largon nga qytetarët.

Partia Demokratike nuk mund të jetë parti individi, nuk e meriton të jetë! Ajo duhet të rikthehet në një parti masash dhe pushteti. Ajo është pronë e demokratëve dhe shpresa e mijëra shqiptarëve që presin rotacionin prej vitesh!

PD nuk e meriton të shuhet për shkak të liderit të saj.

Llogaritë i kanë bërë gabim, veçanërisht me mua dhe shumicën e demokratëve.

Koha thërret demokratët të mos heshtin.", shkruan Salianji./K.C/dritare.net