Spartak Ngjela: Nuk është PD-ja në krizë, por Berisha!
Dritare.net

Avokati Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e fundit në politikën shqiptare gjatë një interviste në emisionin “Intervista e Ditës” në Dritare TV, ku u ndal kryesisht te situata brenda Partisë Demokratike, proceset politike në opozitë dhe zhvillimet në kampet e tjera politike.
Duke folur për Partinë Demokratike, Ngjela u shpreh se nuk bëhet fjalë për një krizë të zakonshme, por për një “krizë të thellë politike”, duke e lidhur drejtpërdrejt me figurën e Sali Berishës.
“Nuk është Partia Demokratike në krizë, është Berisha. PD-ja drejtohet nga një figurë non-grata në SHBA dhe nuk ka më fuqi politike në Perëndim,” deklaroi Ngjela, duke shtuar se sipas tij kjo situatë e ka dobësuar ndjeshëm opozitën shqiptare.
I pyetur për skualifikimin e disa kandidatëve nga gara për kreun e PD-së, Ngjela u shpreh se thelbi i problemit qëndron te mbajtja e lidershipit aktual dhe interesat brenda partisë.
Sipas tij, Berisha nuk mund ta çojë Partinë Demokratike në fitore dhe është “i konsumuar politikisht”, ndërsa opozita, sipas vlerësimit të tij, mbetet shumë larg shumicës në sondazhe.
Duke komentuar situatën e brendshme në opozitë, Ngjela theksoi se PD nuk funksionon si një forcë me garë të hapur dhe përfaqësim real politik./K.C/dritare.net