Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si u shkatërrua armatimi shqiptar në 1997? Ish-ushtaraku: Humbëm 130 miliardë dollarë dhe askush s’mbajti përgjegjësi!

Si u shkatërrua armatimi shqiptar në 1997? Ish-ushtaraku: Humbëm

Në një rrëfim të rrallë për DritareTV, koloneli në pension Vladimir Mema tregon se ushtria shqiptare në vitin 1997 humbi një pasuri marramendëse, armatime dhe municione me vlerë 130 miliardë dollarë, nga të cilat 65 miliardë ishin vetëm municione.

“Në atë kohë, Shqipëria ishte e përgatitur për luftë, por përfundoi në rrëmujë. Depot u plaçkitën, repartet u braktisën, municionet shpërthyen, dhe oficerët u larguan”, thotë Mema, i cili drejtonte divizionin e Gjirokastrës në momentin më të errët të ushtrisë shqiptare.

Më 8 mars 1997, një shpërthim katastrofik në depot e qarkut Gjirokastër mori jetën e 14 oficerëve, pesë prej të cilëve u dogjën të gjallë. Vetë koloneli i mbijetoi për pak tragjedisë.

Sipas tij, fatura ekonomike ishte kolosale, por fatura morale dhe institucionale ishte edhe më e rëndë:

“Tre persona mbajnë përgjegjësi për pasurinë e humbur të ushtrisë shqiptare: Kryeministri, Presidenti dhe Ministri i Mbrojtjes i asaj kohe. Por askush nuk është ndëshkuar, askush nuk mban përgjegjësi sot.”

Koloneli Mema thekson se në vitin 1992, çdo armë dhe fishek ishte në inventar. Sot, mungojnë dokumentet, përgjegjësit dhe kujtesa institucionale.

“I dorëzuam gjithçka me firmë. Sot, askush nuk pyet ku përfunduan ato pasuri. Kjo është e pafalshme.”/dritare.net