
Lufta nuk është më me pushkë! Si duhet të përgatitet Shqipëria për një botë të rrezikshme ku jemi!
Dritare.net
Koloneli në pension Vladimir Mema, që i mbijetoi shkatërrimit të ushtrisë shqiptare në vitin 1997 dha një mesazh të qartë për shtetin dhe qytetarët shqiptarë në një intervistë për DritarrTv:
“Sot lufta nuk është më si dje. Vjen nga ajri, me raketa, me teknologji. Por Shqipëria është e papërgatitur. Dhe kjo është e rrezikshme.”
Ai ngre alarmin se, pavarësisht se Shqipëria është anëtare e NATO-s, vendi është i pambrojtur nga brenda. Strehimet janë zhdukur nga planet urbanistike, emergjencat nuk kanë logjistikë reale, dhe qytetarët nuk dinë çfarë të bëjnë në rast lufte.
Si duhet të përgatitet Shqipëria?
1. Të evidentohen dhe mirëmbahen strehimet civile
• Çdo pallat dhe lagje në Shqipëri, sidomos në qytetet e mëdha, ka pasur strehime që sot janë kthyer në bodrume, magazina ose janë shkatërruar.
• Bashkitë duhet urgjent të bëjnë inventarizimin dhe restaurimin e këtyre strehimeve.
2. Të ngrihet një strukturë për mbrojtjen civile dhe ushtarake
• Sot mungon një strukturë e specializuar kombëtare që të merret me përgatitjen për luftë ose emergjenca.
• Ajo duhet të trajnojë qytetarët për skenarë realë: sulme ajrore, goditje me raketa, bllokime energjie, etj.
3. Të rifillojë edukimi ushtarak bazë në shkolla
• Brezat e rinj nuk kanë asnjë informacion për si të veprojnë në rast lufte.
• Edukimi civil-ushtarak mund të rikthehet në formën e trajnimeve bazë për mbrojtje, ndihmë të parë, orientim në terren, sinjalistikë e emergjencës.
4. Të ketë rezerva strategjike ushqimore, ujore dhe mjekësore
• Shqipëria nuk ka një sistem funksional rezervash për kohë lufte.
• Kjo do të thotë që, në rast konflikti, qytetarët nuk do të kenë furnizim të sigurt për ditët e para.
5. Të investohet në sistemet e mbrojtjes ajrore dhe sinjalizimit
• Edhe pse NATO garanton mbrojtje ajrore për Shqipërinë (nëpërmjet Greqisë dhe Italisë), një shtet nuk mund të mbështetet vetëm te të tjerët.
• Duhet të kemi sistem të pavarur sinjalizimi dhe ndërgjegjësim në kohë reale.
A është ky panik? Jo, është përgjegjësi thotë koloneli!
“Unë jam njeri i paqes, por çdo komb që nuk përgatitet për luftë, është i dënuar të pësojë,” thotë koloneli Mema.
Në një botë me konflikte të reja, rrezik destabilizimi në Ballkan dhe tensione gjeopolitike, Shqipëria nuk mund të sillet sikur asgje nuk do ndodhë.
Çfarë mund të bëjë qytetari sot?
• Të informohet për vendndodhjen e strehimeve më të afërta.
• Të ketë një çantë emergjence me dokumente, ilaçe, ujë dhe drita portative.
• Të kërkojë nga bashkia dhe shteti transparencë për planin e emergjencës në zonën ku banon./K.C/dritare.net

















