
Elon Musk ka njoftuar se ka themeluar një parti të re politike me emrin "Partia e Amerikës", si sfidë ndaj sistemit aktual me dy parti – Republikanët dhe Demokratët. Ky njoftim vjen disa javë pasi ai pati një përplasje të madhe publike me ish-aleatin e tij, presidentin Donald Trump.
Musk e bëri njoftimin në platformën e tij sociale X (ish-Twitter), duke e quajtur iniciativën si mënyrë për t’i kthyer amerikanëve “lirinë” dhe për të luftuar kundër "korrupsionit dhe shpenzimeve të kota që po e falimentojnë vendin".
Megjithatë, deri tani nuk ka prova që partia është regjistruar zyrtarisht pranë Komisionit Federal të Zgjedhjeve. Musk, i cili nuk ka të drejtë të kandidojë për president sepse ka lindur jashtë SHBA-së, nuk ka treguar se kush do ta udhëheqë partinë.
Ai për herë të parë përmendi idenë për një parti të re gjatë konfliktit me Trump, ku braktisi detyrën e tij në administratë dhe kritikoi publikisht politikat fiskale të Trump, veçanërisht ligjin e ri që përfshin ulje taksash dhe rritje të mëdha shpenzimesh – një ligj që pritet t’i shtojë mbi 3 trilionë dollarë borxhit të SHBA-ve në dekadën e ardhshme.
Një faktor kyç i përçarjes mes tyre ishte fakti që ligji i Trump nuk përfshin mbështetje për kalimin në energji të gjelbër apo subvencione për automjete elektrike si Tesla. Trump e ka akuzuar publikisht Musk se përfiton më shumë se kushdo tjetër nga subvencionet shtetërore dhe ka kërcënuar të hetojë kompanitë e tij.
Musk ka qenë më parë një mbështetës i fortë i Trump, duke kontribuar me 250 milionë dollarë në fushatën e tij dhe duke marrë pjesë në takime me djalin e tij të vogël në Shtëpinë e Bardhë. Ai madje u emërua në krye të një departamenti të quajtur “Departamenti i Efiçencës së Qeverisë” (DOGE), me misionin për të propozuar shkurtime drastike në buxhetin federal.
Themelimi i partisë së re vjen në një kohë kur partitë e treta në SHBA përballen me vështirësi të mëdha për të fituar mbështetje të gjerë në zgjedhjet presidenciale./K.C/dritare.net

















