Sokol Sadushi: Gjykata e Lartë uli stokun e dosjeve me 61% gjatë vitit 2025
Dritare.net
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka prezantuar bilancin e punës së këtij institucioni për vitin 2025, duke theksuar se cilësia e vendimmarrjes, qëndrueshmëria dhe besimi i publikut janë shtyllat kryesore të vizionit për një gjykatë moderne.
Gjatë fjalës së tij, Sadushi bëri të ditur se Gjykata e Lartë ka arritur të ulë stokun e çështjeve të prapambetura (backlog) me 61%, pavarësisht presionit të vazhdueshëm strukturor mbi sistemin e drejtësisë.
Sipas tij, në vitin 2025 organet publike rezultuan gjyq-humbëse në 50.5% të rasteve, ndërsa në fushën penale, Prokuroria rezultoi gjyq-humbëse në 18.4% të çështjeve të shqyrtuara nga Gjykata e Lartë.
Sadushi vlerësoi veçanërisht performancën e Kolegjit Administrativ, duke theksuar se ky kolegj vijon të ketë rezultate shumë të mira. Ai nënvizoi gjithashtu se transparenca mbetet një nga orientimet kryesore të institucionit, ndërsa bashkëpunimi ndërkombëtar ka njohur rritje të ndjeshme.
Në fjalën e tij, kreu i Gjykatës së Lartë ngriti shqetësimin për ngarkesën e krijuar në shkallën e parë dhe në Gjykatën e Apelit, duke paralajmëruar se kjo situatë mund të kthehet në problem serioz për Gjykatën e Lartë në të ardhmen.
“Gjykata e Apelit përbën sot hallkën më kritike të sistemit dhe rrezikon aftësinë për të përballuar presionin, për shkak të mungesës së kapaciteteve. Një sistem nuk mund të mbështetet pafundësisht në sakrifica individuale. Qytetari kërkon funksionimin e drejtë të drejtësisë”, u shpreh Sadushi./L.F-dritare.net