Vlorë, dita e katërt pa ujë të pijshëm. Qytetarët në protestë para Bashkisë
Dritare.net

Qytetarët e Vlorës do të zhvillojnë sot në orën 10:00 një tjetër protestë para Bashkisë, në shenjë kundërshtimi ndaj mungesës së furnizimit me ujë të pijshëm, problem që ka hyrë në ditën e katërt radhazi.
Shkak i ndërprerjes së furnizimit është një defekt i rëndë në linjën kryesore të transmetimit, i cili ka sjellë vështirësi të mëdha për banorët e qytetit, sidomos në këto ditë me temperatura të ulëta.

Ujësjellësi i Vlorës ka vënë në dispozicion autobote për furnizim në disa lagje, por kjo masë nuk ka qenë e mjaftueshme për të përballuar nevojat e qytetarëve. Një pjesë e tyre janë detyruar të blejnë ujë të ambalazhuar, ndërsa të tjerë janë drejtuar drejt burimeve natyrore, kryesisht në zonën e njohur si “Uji i Ftohtë”.
Një ditë më parë, dhjetëra qytetarë, përshkallëzuan protestën duke hyrë me forcë në ambientet e Teatrit “Petro Marku”, ku po zhvillohej mbrëmja gala e organizuar nga Bashkia e Vlorës me rastin e festave të fundvitit.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një afat të saktë për zgjidhjen përfundimtare të problemit, ndërsa qytetarët paralajmërojnë vijimin e protestave nëse situata nuk normalizohet./L.F-dritare.net