Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sot heshtje zgjedhore, qytetarët u drejtohen të dielën kutive të votimit!

Sot heshtje zgjedhore, qytetarët u drejtohen të dielën kutive

Ditën e dielë do t’u drejtohen kutive të votimit 3.7 milionë shqiptarë, të cilët do të zgjedhin 140 përfaqësuesit e tyre në parlament.

Risi në këto zgjedhje parlamentare është vota e diasporës, ku për të zgjedhur për Parlamentin e ri janë regjistruar 245.935 emigrantë shqiptarë.

Në garë për të siguruar shumicën e 140 ulëseve në Kuvendin e ri, janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të hapura dhe të mbyllura.

Çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit të KQZ-së, ku 46 janë nga lista e mbyllur.

Ndërkohë që sot është heshtje zgjedhje, mbrëmë PS dhe PD mbyllën fushatën zgjedhore në Tiranë ku dy liderët kryesorë të dy forcave politike në vend dha mesazhet e tyre për votuesit.

Socialistët zgjodhën “Parkun Olimpik” si vendin kryesor për të mbyllur fushatën zgjedhore, ndërsa demokratët u pozicionuan në krahun tjetër të Tiranës në “Bulevardin e Ri”. Flamujt kuqezi të BE dhe SHBA mbizotëronin në të dyja “sheshet’ ku simpatizanët dhe anëtarët e dy forcave politike ishin grumbulluar.

Kryesocialisti Edi Rama ishte shoqëruar në këtë takim përmbyllës nga bashkëshortja e tij Linda Rama, ndërsa kryedemokrati Sali Berisha shoqërohej nga strategu i fushatës së tij, amerikani Cris LaCivita.

Plot 1 orë e 30 minuta zgjati ky takim elektoral i të dyja forcave politike, ku ashtu siç ndodhi gjatë këtyre katër javëve që lamë pas, mesazhi kryesor i dy liderëve ishte i njëjtë.

Edi Rama kërkoi edhe njëherë votën për një mandat të katërt për të çuar Shqipërinë në BE, ndërsa Sali Berisha foli sërish për ulje taksash e rritje pagash e pensionesh. Në të dyja mitingjet përmbyllëse ishin kandidatët e çdo qarku ata që përshëndetën të pranishmit para se në skenë të ngjiteshin liderët respektivë, Rama dhe Berisha./E.P-dritare.net