Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Spanja kërkon ekstradimin e Amant Josifit, u la i lirë nga Dubai!

Spanja kërkon ekstradimin e Amant Josifit, u la i lirë nga Dubai!

Spanja është në kërkim të biznesmenit shqiptar Amant Josifi i akuzuar për mashtrimin e qytetarëve të saj përmes call centerave.

“Gjykata e ka kërkuar që në nëntor të vitit të kaluar, kur në Shqipëri u zhvillua një operacion europian në disa call centera në pronësi të Josifit, ku persona të punësuar mashtronin qytetarët nga e gjithë bota. Ata nuk gjetën asnjë gjurmë të biznesmenit dhe që nga ajo kohë ai figuron zyrtarisht si i arratisur nga drejtësia. Sipas urdhrit të ekstradimit, hetuesit e akuzojnë atë se ka luajtur “një rol udhëheqës në një organizatë kriminale ndërkombëtare që, me përdorimin e inxhinierisë sociale, përfiton nga kryerja sistematike e mashtrimeve shumë të sofistikuara”, thuhet në shkrimin e El Pais.

Gazetarja Rebeka Carranco thotë se një prokuror, një gjyqtar dhe një ekip policie janë duke luftuar prej gati 6 vitesh për të çmontuar atë që ata e konsiderojnë si një rrjet global për mashtrimin e mijëra personave me investime të rreme financiare. Objektivi, thuhet në shkrim, është arritja e ekstradimit të Amant Josifit, 35 vjeç, biznesmen i njohur shqiptar, ish-këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes, tashmë banues në Dubai.

Hetimi që përfshin Josifin është një nga më të rëndësishmit e kryer në Spanjë dhe Evropë, ku përfshihen edhe vende të tjera, si Gjermania, Finlanda apo Suedia. Policia vlerëson se ka më shumë se 235 mijë “viktima”, të një organizate që fiton 400 euro në minutë dhe 50 milionë euro çdo tremujor dhe që ndryshon emrat, domenet dhe vendet sa herë që dikush përpiqet ta ndalojë. Vetëm në Spanjë, ata kanë zbuluar rreth 17 mijë “viktima” të mundshme. Vetëm në qytetin e La Seu d’Urgell janë identifikuar 47 raste, në një mashtrim prej më shumë se 3.3 milionë euro, dhe 500 ankesa të tjera në të gjithë territorin”, – thuhet në shkrim.

Më herët gazeta spanjolle El Pais shkroi se Josifi, i shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle për mashtrimin e 17 mijë shtetasve të BE-së përmes Call Center-ave dhe i ndaluar më 6 shtator në Dubai, është lënë i lirë nga autoritetet e këtij shteti.

“Josifi është i lirë, pa asnjë masë sigurimi, në pritje të paraqitjes së kërkesës për ekstradim nga gjykata e La Seu”, shkruante më herët media spanjolle.

Amant Josifi pronar i disa Call Centrave nëpërmjet të cilave policia spanjolle dyshon se janë mashtruar mbi 17 mijë shtetas të vendeve të BE-së që të kryejnë investime financiare false. Policia nuk arriti ta arrestonte në Shqipëri në megaoperacionin ndërkombëtar që kreu në nëntor të vitit të kaluar, me disa shtete të përfshira, ndërsa cilësohej nga policia e Katalonjës dhe “Guardia Civil” si objektiv me vlerë të lartë.

Një nga avokatët e tij në Spanjë tha për “El Pais, se Josifi është thjesht një biznesmen që i kishte marrë me qira Call Center-at dhe nuk dinte se çfarë aktiviteti kryhej aty.

“Pavarësisht kësaj, Josifi nuk është paraqitur para autoriteteve që po e kërkonin. Avokati i tij kërkoi paraqitjen e tij në këtë çështje dhe të mund të dëshmonte me videokonferencë”- shkruan El Pais.

Policia spanjolle nisi hetimet ndaj Amant Josifit, pas denoncimit të bërë nga një e moshuar së cilës iu morën 800 mijë euro nëpërmjet mashtrimit. Policia thotë se rrjeti kriminal ka fituar në mënyrë të paligjshme rreth 2.4 miliardë euro, duke mashtruar mijëra qytetarë nga vende të ndryshme të BE-së. Qytetarët besonin se po investonin në produkte financiare me përfitim të lartë dhe kriptovaluta, por në realitet paratë shkonin direkt në xhepat e organizatës kriminale, sipas hetimeve./L.F-dritare.net