Spitali Universitar i Traumës përmirëson shërbimin me pajisje mjekësore inovative!
Dritare.net

Investimet në zhvillimin dhe modernizimin e insfrastruktuës në bllokun operator në Spitalin Universitar të Traumës kanë mundësuar krijimin e një mjedisi bashkëkohor ku ndërhyrjet kirurgjikale realizohen me standarde të larta sigurie dhe efikasisteti.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale, prof.Evis Sala zhvilloi një vizitë në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës, ku ndoqi nga afër ofrimin e shërbimit për pacientët me trauma shëndetësore, si dhe investimet e kryera në infrastrukturë e pajisje mjekësore, veçanërisht në bllokun operator qendror, i cili është pajisur me aparatura të teknologjisë së fjalës së fundit.
“Modernizimi i Spitalit të Traumës, specifikisht të bllokut operator, aq i rëndësishëm në rastet e traumave shëndetësore, sidomos atyre urgjente dhe pajisja e tij me aparatura mjekësore inovative përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimit dhe sigurisë për pacientët”, u shpreh ministrja Sala.
Në bllokun operator janë instaluar pajisje të avancuara për Neurokirurgjinë dhe Kirurgjinë e Përgjithshme, që mundësojnë ndërhyrje sa më pak invazive dhe me saktësi maksimale.
Gjithashtu, kabinetet ambulatore të ORL-së, Okulistikës dhe Neurokirurgjisë janë pajisur me aparatura diagnostikuese të reja, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit për pacientët.
Spitali Universitar i Traumës mbetet struktura e vetme spitalore që ofron shërbim të specializuar për traumën dhe politraumën në nivel kombëtar. Numri i pacientëve që marrin shërbim në këtë spital është në rritje të vazhdueshme, përfshirë edhe shtetas të huaj. Aktualisht, në SUT trajtohen mbi 62 mijë raste urgjente çdo vit.
SUT ofron shërbime të specializuara në fusha të ndryshme, që përfshijnë ortopedinë, kirurgjinë e traumës, kirurgjinë e përgjithshme, neurokirurgjinë, si edhe shërbime të ORL-së, okulistikës dhe kirurgjisë maksilofaciale. Krahas tyre, spitali ofron gjithashtu trajtime në sëmundjet e brendshme, reanimacion, imazheri, farmaci, konsulta ambulatore dhe fizioterapi, duke garantuar kujdes të plotë multidisiplinar për pacientët me trauma dhe politrauma.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Spitali Universitar i Traumës ndodhet në proces rikonstruksioni, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës dhe kushteve të punës e akomodimit, për të garantuar një mjedis më funksional dhe bashkëkohor, që i përgjigjet më mirë rritjes së vazhdueshme të kërkesës për trajtime të specializuara dhe cilësore./dritare.net