Xhandarmëria serbe hyn brenda territorit të Kosovës plagos dhe rrëmben një shtetas serb
Dritare.net

Policia e Kosovës tha se më 1 nëntor ka pranuar informacion se në zonën e Leposaviqit, një shtetas i Kosovës, i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, nga xhandarmëria serbe.
“Vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës siç quhet pika zero -0-, në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar”, tha Policia e Kosovës përmes një njoftimi më 3 nëntor.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar më shumë informacione nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, për këtë rast dhe është në pritje të përgjigjes. Policia tha se viktima, i identifikuar me inicialet M.V., sipas dëshmitarëve është dërguar me një autoambulancë në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi. Policia tha se ka intervistuar dëshmitarët okularë dhe përmes tyre ka siguruar informacionet se “persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën, të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë”.
Rasti, sipas njoftimit, është iniciuar në organet e drejtësisë në Kosovë. Leposaviqi është një nga katër komunat në veri të Kosovës, ku shumica e popullatës janë serbë. Kjo komunë gjendet në brezin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, është reaguesi i tretë i sigurisë në vend, pas Policisë dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. KFOR-i, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e Kosovës akuzojnë xhandarmërinë serbe se hyn në territorin e shtetit. Në mars të vitit 2012, dy policë të Kosovës ishin arrestuar në fushatin Dumnicë të Podujevës. Pas 48 orësh ata ishin liruar.
Ndërkaq, më 2023 tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës ishin arrestuar.
Sipas autoriteteve në Beograd, ata u kapën më shumë se një kilometër thellë në territorin serb, ndërsa zyrtarët në Prishtinë thanë se ata u rrëmbyen në Kosovë, gjatë një patrullimi kufitar.
SHIKONI EDHE:“Kufiri i incidenteve” mes Kosovës dhe Serbisë
Edhe banorët e fshatit Karaçevë në Komunën e Kamenicës - pjesa lindore e Kosovës - që nga përfundimi i luftës kanë reaguar vazhdimisht për, siç kanë thënë, futjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës./rel