
Tenderë për kompaninë e vet. SPAK dërgon për gjykim ish-kreun e ARRSH-së Evis Berberi
Dritare.net
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, bashkë me 21 të pandehur të tjerë, të dyshuar për përfshirje në një skemë të abuzimeve me tendera publikë.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK-ut, Evis Berberi akuzohet se ka favorizuar një kompani të lidhur drejtpërdrejt me interesa të tij personale në dhënien e disa kontratave publike me vlerë të konsiderueshme financiare. Hetimi i nisur mbi bazën e indicieve të siguruara nga ILDKPI dhe denoncimeve të mëvonshme, ka zbuluar se tenderët janë shpërndarë në mënyrë selektive, përmes manipulimeve procedurale dhe bashkëpunimit me zyrtarë të tjerë të ARRSH-së dhe përfaqësues të kompanive private.
Ndër 21 personat e përfshirë në çështje janë ish-zyrtarë të lartë të ARRSH-së, përfaqësues të kompanive të ndërtimit dhe juristë të përfshirë në hartimin dhe zbatimin e dokumentacionit të tenderëve. Akuzat përfshijnë “shpërdorim detyre”, “korrupsion pasiv dhe aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe “pastrim parash”.
SPAK njoftoi se janë sekuestruar pasuri të ndryshme të dyshuara si përfitim i paligjshëm nga këto aktivitete, përfshirë llogari bankare, pasuri të paluajtshme dhe mjete të transportit.
Ky është një nga rastet më të rëndësishme të ndjekura së fundmi nga SPAK, që sipas ekspertëve të drejtësisë sinjalizon rritjen e presionit mbi korrupsionin në sektorin publik, veçanërisht në fushën e infrastrukturës.
Seanca e parë gjyqësore pritet të zhvillohet në ditët në vijim në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar./K.C/dritare.net

















