
Zjarr masiv në Finiq, evakuohen banorë. Ministri Vengu: Rreziku i madh pranë HEC-it të Bistricës
Dritare.net
Një natë e gjatë dhe e vështirë është regjistruar në Finiq, ku disa vatra zjarri të favorizuara nga era e fortë kanë përfshirë disa zona. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në një reagim zyrtar, ka dhënë detaje për operacionet e shuarjes së flakëve.
“Natë tepër sfiduese në Finiq ku ekipet zjarrfikëse të Bashkive Finiq, Delvinë, Konispol, Sarandë, të mbështetura nga 5 zjarrfikëse dhe 70 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe 20 efektivë të Policisë së Shtetit, u përballën pareshtur me vatrat që u përhapën të favorizuara nga era e fortë mes fshatrave Velahovë, Livinë, Ardhasovë, Bistricë, Krongj”, u shpreh ministri.
Ai bëri të ditur se janë kryer evakuime të përkohshme në Livinë dhe Ardhasovë, si dhe është ofruar ndihmë mjekësore për të moshuarit.
“Forcat operacionale dhe ato vullnetare siguruan mbrojtjen e çdo banese dhe biznesi të rrezikuar”, theksoi Vengu.
Sipas tij, një nga momentet më kritike ka qenë rreziku për Hidrocentralin e Bistricës:
“Në orët e para të mëngjesit, u realizua një operacion i suksesshëm për të parandaluar përhapjen e flakëve që rrezikonin Hidrocentralin e Bistricës, ku në këto momente pritet të ndërhyet gjithashtu nga ajri.”
Ministri njoftoi se për arsye sigurie qarkullimi në aksin Muzinë–Bistricë mbetet i kufizuar deri në përfundim të operacioneve.
“Forcat operacionale vijojnë punën në terren për të kontrolluar çdo hapësirë që mund të riaktivizohet nga era dhe temperaturat e larta që pritet të mbizotërojnë në orët në vijim”, përfundoi Vengu./K.C/dritare.net

















