Na ndiqni edhe në

Bota

Liderët evropianë reagojnë pas planit të Trump-it për takim me Putinin: Pa Ukrainën nuk ka paqe

Liderët evropianë reagojnë pas planit të Trump-it për

Aleatët kryesorë europianë janë rreshtuar sërish pas Ukrainës, duke theksuar se çdo bisedë paqeje me Rusinë duhet të përfshijë Kievin.

“Rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa Ukrainën,” thuhet në deklaratën e përbashkët të liderëve të Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Gjermanisë, Polonisë, Finlandës dhe Komisionit Evropian.

Deklarata u publikua pak pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të takohej me homologun rus Vladimir Putin të premten në Alaskë, në një përpjekje të re për t’i dhënë fund luftës.


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu shqetësimin se Ukraina mund të mos ftohet në këto bisedime, duke paralajmëruar se marrëveshjet e arritura pa Kievin do të ishin “vendime të vdekura”.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur mbrëmjen e së shtunës se Trump mund të jetë i hapur për një takim trepalësh me Putin dhe Zelensky, por për momentin takimi është planifikuar vetëm mes dy liderëve, siç ka kërkuar Moska.

Trump ka sugjeruar se mund të nisë bisedimet vetëm me Rusinë, duke thënë se planifikon të “nisë me Putinin”, por se beson se ekziston “një mundësi” për një takim të përbashkët. Mbetet e paqartë nëse Putin do ta pranonte këtë, pasi ka refuzuar disa herë takime të drejtpërdrejta me Zelenskyn që nga nisja e pushtimit të plotë më shumë se tre vjet më parë.

Në deklaratat e tij, Trump la të kuptohet se mund të ketë “shkëmbime territoresh” për të arritur marrëveshje mes Moskës dhe Kievit, një ide që u kundërshtua ashpër nga Zelensky:


“Ne nuk do ta shpërblejmë Rusinë për atë që ka bërë. Çdo vendim kundër nesh, çdo vendim pa Ukrainën, është gjithashtu vendim kundër paqes,” tha ai në Telegram.

“Rusët ende imponojnë idenë e ‘shkëmbimit’ të territorit ukrainas për territor ukrainas, me pasoja që garantojnë vetëm pozicione më të favorshme për ta rifilluar luftën,” shtoi presidenti ukrainas.

Sipas CBS, Shtëpia e Bardhë po përpiqet të bindë aleatët europianë të pranojnë një marrëveshje që do t’i linte Rusisë të gjithë rajonin e Donbasit dhe Gadishullin e Krimesë.

Por liderët europianë e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre:

“Kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë. Ukraina ka lirinë të zgjedhë vetë fatin e saj,” u shprehën ata, duke garantuar mbështetje diplomatike, ushtarake dhe financiare për Kievin./K.C/dritare.net