Artan Fuga: Demonstrata e ujit në Vlorë, si demonstrata e bukës e lidhur me emrin e Koçi Bakos
Dritare.net

Nga Artan Fuga
Shumë domethënëse! E turpshme që ndonjë parti bën sikur e organizoi me ndonjë militant të lodhur! Jo, ajo ishte revoltëspontane njerëzish që etja për ujë, lodhja fizike për të gjetur ujë më kujton ndonjë vend andaj nga Saharaja!
Aty në pak minuta në video shoh tre elementët bazikë të kozmosit politik shqiptar sot, të turpshëm sa s'ka ku të vejë më!
Njerëz që luftojnë për nevoja bazike, për ujë në një vend ku burimet ujore mjaftojnë edhe për të ngopur etjen e italianëve përtej bregdetit tonë.
Pra njerëz të vendosur në gjendje animale.
E dyta një shpurë burokratësh lokalë që në teatër zhyten në një shfaqje evazioni psiqik duke harruar cdo detyrë, në vend të lidhnin tubat, rrinë ngopen me ndonjë shfaqje bazike, mediokre, por në harresën e gjoja luksit të tyre mjeran.
Dhe midis tyre një vijë ndarëse, dhuna e shtetit që ndan këto dy botë, policë - çuna të mirë që detyrohen të mbrojnë zyrtarët në plate dhe në llozha nga etja për ujë popullore, nuk dinë çfarë të bëjnë të shkretët.
Nuk jemi të etur as për dije, as për të drejta, as për art, as për histori, jo mo jo jemi të etur për ujë!
Dikur vasha shkonte te kroi i fshatit dhe mbushte katruven dhe i jepte ujë partizanit, kurse sot babi duhet të harxhojë benzinë të shkojë për të mbushur bidonin johigjenik me ujë nuk e di se ku!
Nuk thoshte kot Tokëvili, një popull që të kërkojë të drejta duhet të jetë shumë i zhvilluar. Përgjithësisht popujt kërkojnë ushqime bazë dhe këto pastaj i sublimojnë sikur kërkojnë të drejta.
Edhe në 90 bukur parrula liri - demokraci, por në fakt kishte së paku dhjetë vjet që ishim t-ë uritur.
Nejse, histori e gjatë, rëndësi që nuk u ngrit në alarm pushteti lokal, këshilltarët e opozitës - gjumë, deputetët i urojnë si gjela deti njëri tjetrit : Gëzuar Vitin e Ri!
Lëre se çfarë do të na shohin sytë!/dritare.net