Na ndiqni edhe në

Opinione

Kur lë Shqipërinë!

Kur lë Shqipërinë!

Nga Vasil Merko

Rruga për në aeroport përshkohet në heshtje. Duke kundruar nga dritarja e makinës, syri i etur, përpiqet të mbledhë sa më shumë copëza Shqipërie. Thyerja brenda teje, si çdo herë që kthehesh në vendin ku jeton, është e pashmangshme. Është një thyerje e te tilla përmasave, që betohesh që ke dëgjuar
edhe krismën që ka shkaktuar. Për një çast je i sigurt, që herën tjetër që do të duhet të largohesh pas pushimeve nga Shqipëria, do të jetë ndryshe. Pasi nuk ka mbetur brenda teje diçka për t'u thyer.

Nga dritarja hyn flladi i ngrohtë i ketij fundgushti. Befas je bërë ujë në djersë. Makina tashmë ka marrë kthesën për në Rinas. Dallohet ngadalë edhe kulla e vrojtimit. Nëkokë nisin të njëjtat hamendësime. Gjithëfarësoj mendimesh. Si do të ishte të jetoje ende këtu? Dhe rendit edhe gjithë arsyet pse ndodhesh atje.
Shurdhësinë e mendimeve e thyen thirrja në celular. Instiktivisht e merr veten dhe
në mënyrën më të shkujdesshme përgjigjesh. Nuk dëshiron që ngurtësia e fjalëve tëtë tradhëtojë mërzinë. Në telefon familjarët të pyesin nëse mbërrite në kohë.
Mamaja të kujton se ke harruar ushqyesin e celularit. Je i sigurt që e ke vendosur me duart e tua në valixhe. Dreqi arriti të arratiset!

-Na merr para se të niset avioni, porosit mamaja.
Kujton edhe një herë përqafimin para se të ikje nga shtëpia. Të shtrëngoi fort, ose
më fort sesa e prisje nga fiziku i saj i kërrusur.
Ishte mbase ky shtrëngim i përqafimit, shpagimi i gjithë përqafimeve të munguara
kur të sheh në thirrjet me video.

Taksia ndalon në aeroport. Edhe pse je në Shqipëri, në mjediset e aeroportit,
papritur koha kthehet në një hapësirë tranziti. Mbrapa ndodhet vendi nga ku vjen
dhe ke lënë gjithçka dhe përpara midis reve, vendi që jeton dhe ke ndërtuar jetën.
Nuk e di a ka zgjidhje tjetër veç ikjes. Ikja për ty ka qenë dikur e vetmja udhë. Kthimi ngjan me një mundësi të vakët.

Avioni ka çarë retë dhe mes check in-ve, kontrolleve dhe vulave të pasaportave nuk
e kupton sa shpejt këmbët e tua shkelin një tokë tjetër që nuk quhet më Shqipëri.
Edhe era që të rreh ballin nuk është e njëjta me atë të para disa orëve më parë.
Edhe aroma e dheut poshtë nuk është më e njëjta. As qielli i ngrysur që rri mbi krye.

Gishtrinjtë ndërrojnë nxitimthi kartën SIM në celular. Njofton ata që le mbrapa që
mbërrite mire dhe telefonon ata që të presin se tashmë je midis tyre.

Përpara realiteti, përditshmëria, jeta!

Pas ndodhet Shqipëria, e pazëvendësueshme si çdo atdhe!/dritare.net