
Nga Eduard Zaloshnja
Falë lidhjeve familjare, kam kaluar pushime verore në Pogradec gjatë shumë dekadave. Deri në fund të viteve ’70 të shekullit të shkuar, plazhi i Pogradecit ishte një plazh i vogël lokal, me shtëpi të vjetra peshkatarësh e bahce mollkash fare pranë buzës së liqenit. Përveç banorëve vendas, gjeje në atë plazh të vogël edhe disa familje nga Tirana e Elbasani, që flinin në shtëpitë e mikpritësve të tyre pogradecarë.
Në fillim të viteve ’80, një hotel i ri turizmi u ndërtua, plazhi u zgjerua (duke prishur shtëpitë e vjetra) dhe një lulishte e gjatë 1 km u ngrit përgjatë gjithë plazhit të dikurshëm. Ndërkohë, parku i Drilonës (3 km në lindje të Pogradecit) u përfundua. Rrjedhimisht, edhe numri i pushuesve u rrit gjatë behareve të viteve ‘80.
Vitet ’90 ishin të trazuara për Pogradecin (si për gjithë Shqipërinë), por pas vitit 2000, Pogradeci ka shënuar një hap të ndjeshëm cilësor. Pedonalja mes lulishtes dhe liqenit është rregulluar e zgjatur (duke arritur pothuaj 2 km). Rruga automobilitike përgjatë liqenit (që në verë shërben vetëm për këmbësorët pas orës 18 në zonën aktuale të plazhit) është rregulluar nga hyrja e qytetit deri pothuaj në Tushemisht (në kufi me Maqedoninë). Rruga panoramike Lin-Pogradec është përfunduar krejtësisht. Hotele e pallate të reja (por të ulta) janë ndërtuar jo më afër se 100 metra nga bregu i liqenit. Gjithashtu, restorante e bare të reja janë hapur përgjatë gjithë rrugës kryesore, ndërkohë që janë hequr të gjitha kioskat e rrëmujshme të viteve ’90.
Gjithçka në rregull, atëherë? Sipas kamarierit Niko, që më sjell kafen çdo mëngjes buzë liqenit të freskët, jo. Sipas tij, Pogradeci ka kapacitet për të ardhura nga turizmi 3-fish më të mëdha se aktualisht.
Kuptohet që kamarieri Niko nuk ka kohë të më shpjegojë sesi ai ka arritur tek kjo shifër me llogaritjet e veta, por nga bisedat që kam zhvilluar me kryebashkiakë ndër vite, si dhe me arkitektë e urbanistë që kanë lidhje familjare apo nostalgjike me zonën, shifra e kamarierit Niko nuk duket të jetë larg nga potenciali real i Pogradecit për turizëm.
Duke qenë plazh buzë një liqeni malor, plazhi i Pogradecit ofron mundësinë e bërjes së pushimeve verore diku ku temperatura është mesatarisht 5 gradë Celsius më e ulët se sa në plazhet bregdetare, që zhuriten nga vapa mesdhetare. (Ndonjë ditë kur liqeni kreshperohet nga erërat e forta veriore, mund të kalohet me një vizitë në parkun e Drilonit, në Shën Naum, në Korçë, në Strugë ose në Ohër).
Ditën verore mund ta fillosh me një kafe buzë liqenit të freskët të Pogradecit (ndoshta me një xhakoventë hedhur krhahëve), pastaj mund të vazhdosh duke u nxirë në diell e duke notuar në liqen, dhe pastaj ta mbyllësh me një gotë në mbremjen e freskët (ndoshta prapë me një xhakoventë hedhur krahëve).
Këto mundësi që ofron Pogradeci, sidoqoftë, nuk janë shfrytëzuar plotësisht për zhvillimin e turizmit.
Ndërtimi i “Lungogjolit” të premtuar nga Rama (në analogji me Lungomaren e Vlorës), do të rriste shumë fluksin e turistëve në Pogradec (e për rrjedhojë, nevojën për hotele e lokale shtesë përgjatë gjithë bregut të liqenit).
Zona e Turizmit të Vjetër dhe Oktapodit në derdhjen e lumit Gorica në liqen ka mbetur si gërmadhë, falë kontradiktave 30-vjeçare të trashëgimtarëve të tokës në atë zonë elitare të Pogradecit. Një ndërhyrje modeste shtet-privat në atë zonë mund të prodhonte një resort modern, që mund të sillte miliona euro xhiro në ekonominë e Pogradecit dhe vendit.
Më tutje, ish-vilat e udhëheqjes komuniste dhe kavalishencat e ish-kuadrove/ushtarakëve komunistë kanë zënë dhjetra mijra metra katrorë në pjesën më të bukur e të gjelbëruar të plazhit të Pogradecit. Ato kanë mbetur për 30 vjet si fantazma që u kujtojnë qytetarëve kohën kur nuk lejoheshin të kalonin në atë zonë... Një bashkëpunim modest shtet-privat mund t’i kthente ato në resorte moderne me xhiro milona euroshe.
Për të mos folur pastaj për zonën e plazhit të pazhvilluar nga Pogradeci deri në Tushemisht, që ka mundësi të shumta turizmi elitar.
Kuptohet që të gjitha keto investime kanë nevojë për një masterplan të mirëmenduar zhvillimi (që ndoshta duhet të marrë parasysh edhe transportin e shpejtë të turistëve të huaj nga aeroporti i Ohrit). Potenciali ekziston – vetëm duhet menduar qysh sot sesi të shfrytezohet në të ardhmen./M.T/dritare.net

















