Na ndiqni edhe në

Opinione

Zgjedhjet e përsëritura dhe nevoja për maturi politike në Kosovë

Zgjedhjet e përsëritura dhe nevoja për maturi politike në

Nga Nertil Jole

Kosova po hyn për herë të tretë brenda 15 muajve në zgjedhje të përgjithshme parlamentare. Proceset zgjedhore kudo ku jetojnë shqiptarë kanë gjithmonë vëmendje, që sigurisht është e lidhur me çështjen dhe interesin kombëtar.
Zhvillimi aktual në Kosovë ka paralelisht dy pamje të rëndësishme.
Së pari, formalisht ai përbën një proces kushtetues që dëshmon se demokracia është funksionale në shtetin e ri të Kosovës, dhe kjo padyshim është e rëndësishme.
Nga ana tjetër, shfrytëzimi i vazhdueshëm i hapësirave kushtetuese dhe demokratike për procese të shpeshta zgjedhore reflekton paaftësinë e klasës politike për bashkëpunim dhe arritje me bazë konsensusi. Kjo situatë e tensionon klimën politike dhe cënon stabilitetin institucional, duke i vënë ato në funksion të interesave të ngushta politike dhe të pushtetit. Ndaj, parimi i sovranitetit nuk duhet të përdoret për të justifikuar bllokime të reja.
Ky aspekt i procesit natyrshëm ngadalëson ritmet e zhvillimit të vendit, veçanërisht perspektivën ekonomike, vë në diskutim të panevojshëm aftësinë e vazhdueshme shtetformuese të vetë klasës politike dhe shoqërisë në raport me partnerët ndërkombëtare, të cilët mbështesin përparimin e vendit dhe përfshirjen në organizmat ndërkombëtare.
Situata politike në këtë prag zgjedhjesh bëhet natyrshëm edhe më komplekse mbas përfundimit të gjykimit në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së dhe pritjes së vendimit të shtyrë për në 20 Korrik. Rasti ka ndjeshmëri të lartë jo thjesht e vetëm për fatin dhe dinjitetin individual të ish-luftëtarëve dhe ish-drejtuesve të lartë të shtetit, që edhe kështu, për një opinion të gjerë, gjykohet tërësisht i padrejtë.
Në favor të këtij opinioni janë shumë deklarata, qëndrime apo edhe dëshmi para trupës gjykuese nga personalitete ndërkombëtare me përgjegjësi të larta politike e shtetërore në vendet e tyre, në periudhën e luftës. Është i konsoliduar me fakte mendimi se bëhet fjalë për akuza të pabaza, të fabrikuara nga qarqe pro serbe që synojnë të tjetërsojnë karakterin e luftës çlirimtare dhe rolin e UÇK-së në çlirimin e Kosovës, duke vënë në diskutim edhe nevojën e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s për t'i dhënë fund genocidit serb ndaj shqiptarëve.
Në këtë atmosferë politike është detyrë e faktorëve politikë të kontribuojnë për forcimin e interesit kombëtar dhe garantimin e stabilitetit politik e institucional, duke u ngritur mbi interesat politike të momentit. Natyrisht, detyrimin për të ofruar kompromiset e nevojshme e ka forca e parë politike, sikurse partitë e tjera, aktualisht me peshë më të ulët elektorale, të cilat duhet të jenë bashkëpunuese e konstruktive pa vendosur kushte apo pengesa.
Balanca e raporteve partiake në parlamentin e Kosovës, nuk duhet të dhunojë standardin demokratik të pranimit të realitetit politik. Kur realiteti politik dikton domosdoshmërinë e kompromiseve politike për rrugëdalje nga krizat, ai duhet garantuar pa ego politike nga të gjithë aktorët. Kjo do tregonte maturi e që vendi ka hyrë në një fazë të re.
Fushata jo pak e polarizuar po evidenton problematika jo emancipuese për shoqërinë dhe shfaqje të protagonizmit për interesa pushteti, por trupa elektorale, qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë kufijve, me vetëdijen kombëtare dhe votën e tyre do të duhet të shmangin përsëritjen e së njëjtës krizë.
Patriotizmi i zhurmshëm me mungesë respekti për shtetin dhe përgjegjësisë për institucionet, është minimalisht i pasinqertë. Më e keqe akoma është gjuha linçuese e dirigjuar nëpër rrjete sociale. Shteti nuk mund të zëvendësohet me vetveten.
Kosova e meriton të ardhmen europiane për qytetarët e saj, për të siguruar zhvillim demokratik, progres në çdo aspekt të zhvillimit të vendit dhe vazhdimësinë e mbështetjes nga partnerët euro-atlantikë, pa të cilët do "përfitonte" padrejtësisht Serbia./Marrë nga Facebook-u i autorit