Silvinjo thotë lamtumirë: Shqipëria do të jetë gjithmonë në zemrën time
Dritare.net

Federata e Futbollit organizoi një event mirënjohjeje dhe falënderimi për ish-trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë, Silvinjo, si edhe për zëvendëstrajnerët Dorival dhe Pablo Zabaleta, për kontributin e tyre gjatë tre viteve e gjysmë në krye të kuqezinjve. Në aktivitet morën pjesë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, drejtues të federatës, përfaqësues të medias, ish-futbollistë, sponsorë dhe bashkëpunëtorë. Në fjalën e tij, Duka vlerësoi profesionalizmin e stafit teknik dhe veçoi kualifikimin historik në Euro 2024 si një nga momentet më të rëndësishme.
Në shenjë mirënjohjeje, trajnerit iu dhurua një fanellë e Kombëtares me mbishkrimin “Forever”. Silvinjo u shpreh mirënjohës për periudhën e tij në Shqipëri, duke theksuar se do të mbeten të paharrueshme marrëdhëniet njerëzore dhe bashkëpunimi me stafin e federatës.
“Kur dikush e merr përsipër një punë, e merr përsipër që ta bëjë në 100% të saj. Ka raste që puna shkon mirë, ka raste që nuk shkon mirë. Kështu është futbolli. Unë bëj një profesion shumë të vështirë, shumë prej jush këtu e dini. Tani flasim për 3 vite e gjysmë. Jam absolutisht i lumtur për atë që kemi bërë. Kemi thënë që nga dita e parë që “Ne jemi një”.
Nuk do doja të flisja për Euro 2024, kualifikueset e Botërorit apo fazën play-off. Unë do doja të flisja për më shumë se 100 persona që jetojnë dhe punojnë për Federatën. Me shumë prej jush kam pasur mundësi të bëj një bisedë të bukur dhe të pi një kafe. E kujtoj ende që 3 vite më parë, në katin e katërt ku është presidenti, aty ishte kafeja. Në orën 9 të mëngjesit shkoja aty dhe, ditë pas dite, kam pirë kafe me secilin prej jush dhe kam dëgjuar secilin prej jush që punoni në atë vend të bukur pune. Do të mbetet gjithmonë në zemrën time. Përtej çdo gjëje që kemi parë këtu, që është e bukur, të emocionon, por sidomos ju, raporti human, këtë nuk do ta harroj kurrë. Secilin prej jush e kam në zemrën time. Faleminderit shumë, mirupafshim!”, – tha Silvinjo./K.C/dritare.net