PS-PD arrijnë konsensus, kreu i SPAK-ut nuk raporton më në Kuvend. Ja rregullorja e re!
Dritare.net

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur konsensus për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, duke rikthyer traditën e miratimeve me dakordësi politike. Marrëveshja u arrit një ditë para seancës parlamentare të së enjtes dhe përfshin ndryshime në disa pika të kundërshtuara nga opozita.
Palët ranë dakord që seancat parlamentare të mbyllen në orën 22:00, ndërsa numri i komisioneve parlamentare do të mbetet 11. Një nga debatet kryesore ishte raportimi i institucioneve të pavarura në Kuvend. Socialistët kishin propozuar që raportimet të bëheshin vetëm në komisione, por pas negociatave u vendos që në seancë plenare të raportojnë vetëm institucionet që e kanë këtë detyrim të përcaktuar në Kushtetutë.
Sipas marrëveshjes, në Kuvend do të raportojnë Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesit e KLP-së dhe KLGJ-së, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe kreu i KLSH-së, ndërsa institucione si SPAK-u nuk do të raportojnë në sallën plenare./K.C/dritare.net