Na ndiqni edhe në

Politikë

Braçe kërkon mbylljen e FSDKSH: Skema e rimbursimit të ilaçeve është e korruptuar, paguhen barna për të vdekur

Braçe kërkon mbylljen e FSDKSH: Skema e rimbursimit të

Deputeti socialist Erion Braçe ka kritikuar ashpër Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), duke kërkuar që institucioni të shpërbëhet dhe të riformatohet nga e para. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Braçe iu referua raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili ka evidentuar abuzime serioze në skemën e rimbursimit të barnave.

Sipas deputetit, KLSH ka zbuluar raste ku janë paguar ilaçe të rimbursueshme për persona të ndjerë, çka sipas tij tregon se sistemi aktual është i korruptuar. Ai theksoi gjithashtu se hetimet kanë zbuluar lidhje të dyshimta midis mjekëve dhe farmacive për promovimin e markave të caktuara të barnave, duke përdorur recetat e pacientëve si mjet për përfitime.

“Fakti që paguhen ilaçe për njerëz të vdekur dhe që ekziston një zinxhir mes mjekëve, farmacive dhe kompanive farmaceutike, tregon se skema është e kalbur. Kështu, politika e rimbursimit nuk i shërben më qytetarëve, por interesave të ngushta të disa individëve,” deklaroi Braçe.

Ai kërkoi që politika e rimbursimit të reformohet në mënyrë që pacientët në nevojë të marrin barnat falas, ndërsa kompanitë apo personat që përfshihen në korrupsion të përjashtohen përfundimisht nga skema.

“Sistemi duhet ndryshuar rrënjësisht. Është koha që ata që e korruptojnë të mos kenë më vend në të,” përfundoi Braçe./dritare.net