Na ndiqni edhe në

Politikë

Marta Kos jep sinjale të forta për Shqipërinë në BE

Marta Kos jep sinjale të forta për Shqipërinë në BE

Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, gjatë një vizite në Sllovaki, u shpreh optimiste për ecurinë e procesit, duke theksuar se me Shqipërinë janë hapur të gjithë kapitujt dhe se synimi është përmbyllja e tyre në kohën më të shkurtër të mundshme.

“A mund ta imagjinoni? Nga viti 2009, BE po fillon punën për një traktat të ri pranimi, për Malin e Zi. Me Shqipërinë, ne kemi hapur të gjitha grupkapitujt e negociatave, dhe shpresoj të ecim përpara për t’i mbyllur sa më shpejt që të jetë e mundur. Maqedonia e Veriut po ecën mirë me reformat, por ambicia jonë është për gjithë rajonin, të gjitha vendet të bëhen vende anëtare me të drejta të plota dhe me përgjegjësi të plota në BE, bazuar në linjëzim të plotë me ligjet dhe vlerat europiane. Dua ta them, duam ta bëjmë këtë ambicie realitet, dhe po, zgjerimi po ndodh!”, tha Kos.

Ajo shtoi se zgjerimi i BE-së mbetet një objektiv politik i qartë dhe i prekshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Dua të hedh një sy në të ardhmen. Sllovakia merr Presidencën e BE-së në gjysmën e parë të vitit 2030. Mandati im mbaron pikërisht në atë kohë. Duhet të punoj fort që deri atëherë Presidenca juaj të jetë e suksesshme. Por gjysma e parë e vitit 2030 do të jetë një moment i rëndësishëm për zgjerimin, disa vende kandidate kanë caktuar ambicie të forta për të mbyllur negociatat dhe për t’u anëtarësuar. Pra, me fillimin e dekadës së re, në 2030, duket të jetë një pikë kthese për BE dhe ju do ta udhëhiqni atë moment”, theksoi Kos.

Shqipëria synon të mbyllë gjithë grupkapitujt e negociatave me BE deri në fund të vitit 2027, të marrë traktatin e pranimit në vitin 2028 dhe të bëhet shteti më i ri anëtar i Bashkimit Evropian brenda vitit 2030./K.C/dritare.net