Prokuroria italiane heton vdekjen e aktorit shqiptar, Gjergji Lala!
Dritare.net
Prokuroria italiane ka nisur një hetim për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” pas vdekjes së aktorit shqiptar Gjergji Lala, i cili ndërroi jetë më 16 qershor në Poliklinikën “Umberto I” në Romë.
Hetimi u hap pas kallëzimit të bërë nga familjarët e aktorit, të cilët shprehen se kanë dyshime serioze për mënyrën se si ai u trajtua gjatë qëndrimit në spital.
“Babai ynë humbi jetën para syve tanë, ndërsa askush nuk ndërhyri për ta ndihmuar”, thuhet në kallëzimin e familjes, e cila kërkon zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes.
Aktualisht nuk ka persona nën hetim, ndërsa Prokuroria pret rezultatet e autopsisë për të përcaktuar nëse ekzistojnë elementë që mund të çojnë në ngritjen e akuzave.
Sipas familjarëve, problemet shëndetësore nisën më 14 maj, kur Gjergji Lala u dërgua në urgjencën e spitalit të Frosinones për komplikacione në veshka. Pak javë më parë ai i ishte nënshtruar një operacioni për trajtimin e një tumori në fshikëz.
Pas transferimit në Poliklinikën “Umberto I”, aktori u shtrua në gjendje të rëndë dhe gjatë trajtimit iu konstatuan komplikacione të shumta, përfshirë edhe një frakturë të femurit, rrethanat e së cilës mbeten ende të paqarta.
Më pas ai u infektua me bakterin *Klebsiella*, nga i cili u rikuperua pas trajtimit. Megjithatë, sipas familjes, një infeksion i dytë bakterial rezultoi fatal.
Hetimet tashmë do të përqendrohen në përcaktimin e shkaqeve të vdekjes dhe në verifikimin e procedurave mjekësore të ndjekura gjatë trajtimit të aktorit shqiptar.