
Ilaçi i ri i Alzheimerit ngadalëson sëmundjen me një të tretën
Dritare.net
Ne po hyjmë në epokën e trajtimeve të Alzheimerit, pasi tanimë edhe ilaçi i dytë i zbuluar brenda një viti ka treguar se e ngadalëson sëmundjen. Ekspertët thanë: “Tani jemi në prag të disponueshmërisë së barnave, diçka që kohët e fundit dukej e pamundur. Kompania Eli Lilly raporton se ilaçi i saj Donanema, ngadalëson ritmin e Alzheimerit me rreth një të tretën. Megjithatë, dy vullnetarë dhe ndoshta një i tretë, vdiqën si pasojë e ënjtjes së rrezikshme në tru.
Donanemab funksionon në të njëjtën mënyrë si lecanemab, i cili bëri bujë në mbarë botën kur u vërtetua se ngadalësonte sëmundjen. Të dy janë antitrupa si ato që trupi prodhon për të sulmuar viruset. Por këto janë projektuar për të pastruar beta amiloidet nga truri. Beta Amiloidi grumbullohet në hapësirat midis qelizave të trurit, duke formuar pllaka që janë një nga shenjat dalluese të Alzheimerit.
"Beteja prej dekadash për të gjetur trajtime që ngadalësojnë sëmundjen e Alzheimerit po ndryshon.”, tha Dr.Cath Mummery, drejtuesie klinike për klinikën e çrregullimeve konjitive në Spitalin Kombëtar për Neurologji dhe Neurokirurgji në Mbretërinë e Bashkuar.
"Tani po hyjmë në kohën e modifikimit të sëmundjes, ku mund të shpresojmë realisht të trajtojmë dikë me sëmundjen Alzheimer.”, tha ajo.
Kompania tha se do të fillojë procesin e miratimit të ilaçit të saj për përdorim në spitale në muajt e ardhshëm. Dr.Liz Coulthard, nga Universiteti i Bristolit, tha se kishte "efekte anësore të rëndësishme" dhe mungesë të të dhënash afatgjata, por ilaçi mund të "ndihmonte njerëzit të jetojnë mirë me Alzheimerin për më gjatë."
Megjithatë, këto barna mesa duket funksionojnë vetëm në fazat më të hershme të sëmundjes, përpara se truri të dëmtohet shumë. Dhe nëse ato miratohen në Mbretërinë e Bashkuar, do të duhej ende një revolucion për mënyrën se si diagnostikohet sëmundja për të bërë një ndryshim. Vetëm 1-2% e njerëzve bëjnë ose skanime të trurit ose një analizë të lëngjeve kurrizore për të përcaktuar nëse në të vërtetë kanë Alzheimer ose një formë tjetër të demencës kundër së cilës ilaçet do të ishin të padobishme./K.C/dritare.net

















