
Burimi: WashingtonPost
Dy persona të tjerë kanë vdekur në Shtetet e Bashkuara pasi u infektuan nga Pseudomonas aeruginosa, një bakter rezistent ndaj ilaçeve që është lidhur me pikat e syrit, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, duke e çuar në tre numrin e viktimave nga ky infeksion. Po ashtu tetë raste me këtë infeksion kanë raportuar humbje të shikimit dhe katër të enukleimit, ose heqjes së syrit në mënyrë kirurgjikale.
CDC-ja i raportoi fillimisht rastet në janar dhe deri më sot janë infektuar të paktën 68 njerëz në 16 shtete. Menjëherë pas paralajmërimit, EzriCare Artificial Tears, një produkt pa konservantë dhe pa recetë që e përdornin shumë pacientë të infektuar, u hoq nga përdorimi. Që atëherë, janë hequr nga raftet e farmacive edhe ilaçe të tjera syri, edhe pse jo të gjitha lidhen me infeksionin bakterial.
Mësohet se janë hequr nga farmacitë katër produkte pikash për sy. Këtu përfshihen edhe lotët artificialë të EzriCare dhe Delsam Pharma, të cilët janë shoqëruar me infeksionin bakterial. Dy produkte të tjera janë: Pharmedica USA's Purely Soothing, 15% MSM Drops dhe Apotex's Brimonidine Tartrate Ophthalmic Solution, 0,15%. Këto të fundit u tërhoqën nga shitja edhe pse nuk kanë ende asnjë lidhje me shpërthimin e sëmundjes, përcjell dritare.net
Pomada e syve të Delsam Pharma, u hoq nga farmacitë edhe pse nuk është gjetur një lidhje e drejtpërdrejt me sëmundjen, por është prodhuar nga Global Pharma Healthcare, i njëjti prodhues që qëndron pas lotëve artificialë të Delsam Pharma.
Cilat janë simptomat e infeksionit të syve nga të cilat duhet të bëni kujdes?
Sipas CDC-së, nëse keni përdorur lotët artificialë të Ezricare dhe Delsam Pharma, kini kujdes për simptomat: ju rrjedh një lëng i verdhë nga sytë, ose në ngjyrë jeshile, dhimbje ose parehati në sy; skuqje e syrit ose qepallës, ndjesi sikur ke diçka në sy; rritje e ndjeshmërisë ndaj dritës dhe vizion të paqartë.
Çfarë është Pseudomonas aeruginosa?
Pseudomonas aeruginosa është një bakter agresiv që gjendet në të gjithë mjedisin, duke përfshirë ujin, tokën dhe mbetjet njerëzore. Ai mund të hyjë në pikat e syve përmes kontaminimit me agjentë mjedisorë gjatë trajtimit, thonë ekspertët. Bakteri është rezistent ndaj shumicës së antibiotikëve dhe është i rrezikshëm në mjediset e kujdesit shëndetësor dhe për njerëzit me sistem imunitar të dobët./K.C/dritare.net

















