
Piramida e re ushqimore mesdhetare: më pak mish, më shumë bimë
Dritare.net
“Më pak është më mirë” – ky është mesazhi i qartë i piramidës së re të dietës mesdhetare, e cila ndryshon ndjeshëm renditjen tradicionale të ushqimeve që rekomandohen për një stil jetese të shëndetshëm.
Në këtë version të përditësuar, proteinat bimore – të pranishme kryesisht në legume si fasulet, thjerrëzat dhe qiqrat – zënë një vend shumë më të rëndësishëm sesa më parë, duke u barazuar me peshkun dhe djathërat e freskët në nivelin e konsumit të rregullt.
Ndërkohë, mishi i kuq dhe produktet e përpunuara të mishit janë zhvendosur në majën e piramidës, në zonën e konsumit të rrallë dhe të kufizuar – së bashku me ëmbëlsirat dhe produktet me përmbajtje të lartë sheqeri.
Nuk ka më vend as për konsum të shpeshtë të mishit të bardhë: rekomandohet të mos konsumohet më shumë se dy herë në javë. Po ashtu, një surprizë për shumëkënd është pozicioni i patateve: ndonëse të përdorura shpesh si garniturë, ato nuk konsiderohen perime dhe duhet të konsumohen vetëm një herë në javë.
Çfarë mbetet në bazë të piramidës?
Në themel të kësaj diete qëndron fruta dhe perime të freskëta, të konsumuara çdo ditë, së bashku me drithërat integrale – si buka, makaronat apo orizi integral – dhe vajin e ullirit ekstra të virgjër, i vetmi yndyrë e rekomanduar për përdorim të përditshëm.
Kjo piramidë e re jo vetëm që orienton drejt një diete më të shëndetshme, por edhe reflekton sfida të reja të kohës: që nga mbrojtja e shëndetit kardiovaskular, deri te qëndrueshmëria mjedisore dhe etika e konsumit.
Një ndryshim kulture, jo thjesht një dietë
Përtej ndryshimeve në listën e ushqimeve të përditshme, kjo piramidë përfaqëson një ndryshim kulture në mënyrën se si e shohim ushqimin: jo si një mbushje të barkut, por si një mënyrë për të ruajtur shëndetin, për të respektuar trupin dhe mjedisin, dhe për të ndarë ushqimin si pjesë e jetës sociale dhe familjare./L.F-dritare.net

















