Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

7% që PD po e paguan çdo vit!

7% që PD po e paguan çdo vit!

Nga Ermal Peçi

Ishte viti 2011 kur Ilir Meta ra në një video-përgjim, me ish-Ministrin e Energjitikës, të ndjerin Dritan Prifti, në atë video-përgjim shqiptarët panë me sy e dëgjuan me veshë pazaret e politikës, atë që diskutohej çdo ditë në tryezat e shqiptarëve se si pasurohen politikanët tanë dhe pse janë të korruptuar. Politikisht kjo duhej të ishte dita kur Sali Berisha duhet të prishte koalicionin me Ilir Metën, e për të vazhduar rrugën e tij. Partia Demokratike nuk do ta kishte barrë mbi supe atë që do të ndodhte më pas. Sali Berisha nuk e lëshoi Ilir Metën dhe më pas secili prej nesh e di shumë mirë se çfarë ndodhi.

Me një lëvizje makiaveliste, Edi Rama thërriti protestën kombëtare për të protestuar për 7% e Ilir Metës dhe bllokun e famshëm të tij. 21 Janari u shënua me 4 viktima, me katër jetë njërëzish të pafajshëm dhe me një luftë politike se kush ishte përgjegjësi real. Ata që i nxorrën në pritë apo ata që i vranë. Pavarësisht se çfarë prodhon lufta politike familjarët po kërkojnë drejtësi, por edhe qytetarët e këtij vendi. Partia Demokratike pas këtyre ngjarjeve kaloi në opozitë ndërsa Ilir Meta dhe Edi Rama kaluan “YLBERIN” për t'u bërë bashkë e për të marrë pushtetin. Pas katër vitesh lau duart dhe me Ilir Metën për ta hedhur përsëri në kampin opozitar dhe në prehërin e Partisë Demokratike.

Para vetëm dy ditësh gazetari i kronikës Artan Hoxha ka publikuar materiale të reja për ngjarjen e 21 Janarit, ku u vranë 4 persona në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Biseda është mes kreut të Gardës në atë kohë, Ndrea Prendi dhe zëvendësit të Gardës Artan Hoxha, i pari i jep urdhër këtij të fundit që të mbajnë armët gati për zjarr. Është një regjistrim audio. Vrasjet janë bërë me urdhër, por serverat u fshinë, procesverbalet u fshinë, nuk u la më asnjë gjurmë, për të fshehur faktin se kush i kreu vrasjet.

Këto janë disa prova shtesë për të rindezur debatin politik dhe për të rikthyer kërkesat e familjare për drejtësi. Ndërkohë sot pas 12 vitesh Ilir Meta është rikthyer përsëri pranë Sali Berishës. Nga njëra anë Edi Rama lëshon thirrjet për konsum politik për 21 Janarin dhe fajtorët e saj ndërsa nga ana tjetër familjarët e të ndjerëve kërkojnë drejtësi. Kjo është panorama e një situate ku Partia Demokratike po e paguan çdo ditë koston me qëndrimin e saj në opozitë sepse po paguan çdo vit 7% e 21 Janarit si kamatë vonesë për mosdistancimin e Ilir Metës prej Partisë Demokratike që në vitin 2011./dritare.net