Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Drejtimi i ri Berisha-Meta, sfida e kthimit të së shkuarës!

Drejtimi i ri Berisha-Meta, sfida e kthimit të së shkuarës!

Nga Dr. Gertjon Çobo

Sezoni veror, i cili tashmë mund të konsiderohet si një sezon me zhvillime nga më të rëndësishmit për klimën politike shqiptare, mund të cilësohet se ka një drejtim të ri. Sali Berisha është konfirmuar si lideri i ri i Partisë Demokratike, i cili do të sjellë ndryshimet thelbësore për opozitën, të kërkuar me kaq ngulm këto vite dhe nga ana tjetër Ilir Meta, i cili është përpjekur nëpërmjet krijimit të lëvizjes së re, Partisë së Lirisë, të krijojë një imazh të ri për veten dhe njëkohësisht për opozitën në vend. Nëpërmjet konfirmimit të tyre në krye të secilës parti, mund të cilësohet tashmë se opozita karakterizohet nga një unitet, duke sjellë në këtë mënyrë në klimën politike shqiptare një “drejtim të ri”.

Të dy liderët e opozitës ofrojnë ngjashmëri, qoftë në ligjërimin publik, qoftë në përdorimin e epiteteve dhe emërtimeve ndaj personazheve të politikës apo ngjarjeve që ndodhin. Të dy liderët ofrojnë ngjashmëri për rrugëtimin që duhet të ndjekë opozita për fillimin e menjëhershëm të protestave për të rrëzuar qeverinë aktuale. Ata ofrojnë ngjashmëri për qëndrimin ndaj ish-liderit të opozitës, Lulëzim Bashës, të cilin e fajësojnë për dështimet e njëpasnjëshme dhe për mos ardhjen ende në pushtet të opozitës. Të dy liderët ofrojnë ngjashmëri për mënyrën se si erdhën në krye të partive respektive, duke përdorur metodologjinë e “të priturit – të shpëtuarit” për mbështetësit e vetë, duke patur për qëllim unitetin e tyre deri në ardhjen në krye të partisë të këtyre të fundit.

Tashmë kjo metodologji po njihet gjithnjë e më shumë si një sindromë, ku lidershipi përdor çdo mjet dhe qëllim duke bindur anëtarësinë e vetë dhe duke u përpjekur të bindë edhe elektoratin gri se pas ardhjes së tyre në krye të drejtimit të opozitarizmit do të ketë tronditje thelbësore për themelet e qeverisë aktuale. Por në fakt çfarë ka ndodhur? Tashmë të dy liderët e opozitës janë në krye të opozitarizmit nëpërmjet përdorimit të metodologjisë së përbashkët (me diferenca tipologjike të ndryshme), por pa arritur të realizojnë deri më tani ndonjë nga premtimet e dhëna anëtarësisë së vetë apo elektoratit gri. Të dy liderët e opozitës ofrojnë ngjashmëri të tjera. Ata kanë qenë në pozicionin e kryeministrit apo presidentit të Shqipërisë. Mund të cilësohen tashmë si dy liderë të provuar. Ironia në fakt qëndron që ngjashmëritë vazhdojnë, të dy tashmë të provuar dhe karakterizuar nga ngjarje tashmë publike, zotohen me ngulm që në këtë vend do të rikthejnë drejtësinë. Zotohen se bashkërisht do të rikthejnë kohezionin social në shoqërinë tone, nëpërmjet zotërimit të një vizioni vërtetë të pastër dhe të pandikueshëm, pra të një vizioni të ri.

Po, në të vërtetë të dy liderët e opozitës kanë ngjashmëri, por ngjashmëri ekzistenciale. Ekzistenca e tyre në krye të partive respektive është një nga problematikat bazë që karakterizojnë modelin e liderit të pensionuar, ai nuk i hap rrugën modelit të përthithjes së liderëve të rinj. Të dy liderët e opozitës, tashmë të pensionuar në katapultimin e pozicioneve që kanë mbajtur, janë zotuar për ta drejtuar opozitën aktuale në diçka të përbashkët, këmbënguljen e tyre për dështimin e saj. Të këmbëngulësh për të rikthyer të shkuarën e provuar, nuk mund të konsiderohet më një gabim, por një krim./dritare.net