Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Tucker Carlson dhe gazetarët gjobaxhinj në Shqipëri! 

Tucker Carlson dhe gazetarët gjobaxhinj në Shqipëri! 

Nga Ermal Peçi!
Tucker Carlson, një nga personalitetet kryesore televizive të rrjetit Fox News do të largohet nga ky televizion, më pak se një javë pasi ky televizion arriti një marrëveshje me kompaninë Dominion të sistemeve të votimit, për të zgjidhur padinë për shpifje duke paguar një dëmshpërblim prej 787.5 milionë dollarësh.
Dominion kishte pretenduar se deklaratat e bëra në emisionin e zotit Carlson pas zgjedhjeve të 2020-ës përbënin shpifje dhe se mesazhet mes drejtuesit të emisionit dhe ekipit të tij, provonin se ai dhe ekipi i tij e dinin se pretendimet e bëra gjatë emisionit se makinat e numërimit të votave të kompanisë Dominion ishin përdorur për të manipuluar zgjedhjet në favor të demokratit Joe Biden, ishin të rreme. Kjo është panorama e një vendi, i cili hallkat e sistemit i ka funksional dhe të dënon në momentin kur për interesa personale dhe pagesa nën dorë me fuqinë e medias dezinformon publikun. Fatkeqësisht në Shqipëri kjo ndodh në mënyrën më të zakontë pa e vrarë mendjen nëse këto deklarata do të sjellin pasoja për emrin që ti përmend apo çfarë telashesh i hap familjes së personit. Kjo ishte edhe ngjarja e Shëngjinit kur si pasojë e një organizimi mafioz ngeli viktimë Ardian Nikulaj. Menjëherë në mejdanet mediatike gazetarët zunë poltronët dhe në një simfoni muzikore e luajtur nga një dirigjent, tregonin sherrin me kryetarin e bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreun, braktisjen që ai i ka bërë mazhorancës dhe Partisë Socialiste, duke dalë hapur pro kandidatëve të Bashkë- Fitojmë. Pjata boshe e thashetheme dhe deklarata dezinformuese të elitës mediatike u shtruan në tavolinat shqiptare.
Mendime që kalonin në mendje të çdo qytetari për të kuptuar se çfarë po ndodh me këtë shtet. Në më pak se disa ditë falë punës së mirë të Policisë së Shtetit, erdhi dhe zbardhja e ngjarjes, e cila hodhi realisht dritë mbi një çështje e cila ishte kaq shumë e përfolur dhe e mbështjellë me hije të politikës. Një ngjarje e cila rrënjët i kishte tek gjakmarrja, një plagë e trashëguar dhe e lënë hapur në shoqërinë shqiptare.
Minimalisht sot që kjo çështje u zbardh do të duhej një mea culpa nga këta gazetarë, të cilët me deklaratat e tyre më shumë ia vështirësojnë jetën shqiptarëve, një falje ndaj familjeve të cilave u sjellin shqetësim. Në Shqipëri do të duhet të ketë një ligj për mediat për lirinë e fjalës edhe pse liri fjale nuk ka por ka liri mendimi. Do të duhet të ketë një ligj, i cili e dënon shpifjen dhe dezinformim për qëllime politike dhe interesa personale. Abuzimeve pas mbrojtjes së mburojës së "lirisë së fjalës së lirë" i duhet vënë një kufi respektimi ndaj së vërtetës./dritare.net