Arben Çuko paralajmëron: Koha e qetësisë ka mbaruar, Shqipëria duhet të vetëmbrohet
Dritare.net

Eksperti i sigurisë Arben Çuko thotë se Shqipëria ndodhet në një rajon gjithnjë më të pasigurt dhe nuk mund të mbështetet vetëm te NATO. Ai theksoi se vendi ka nevojë urgjente për shërbim ushtarak, sisteme mbrojtëse dhe armë deterrence për të garantuar sigurinë kombëtare. Në një intervistë për emsionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, Çuko kritikoi NATO-n dhe fuqitë perëndimore, duke thënë se aleanca nuk garanton më mbrojtjen e vendeve të vogla si Shqipëria. Ai komentoi:
“Trump-i tha: ‘Shkoni mbrojuni vetë.’ Kjo tregon që Amerika do të tërhiqet shpejt nga zonat e konfliktit dhe Shqipëria duhet të bëhet gati për çdo skenar.”
Ai paralajmëroi për rrezikun e armatimit ofensiv të rajonit, duke veçuar Serbinë dhe potencialin e raketave supersonike dhe tankeve moderne që mund të arrijnë territorin shqiptar:
“Serbia ka blerë raketa supersonike 400 km dhe tanke të reja mësymëse. Ky armament nuk është për mbrojtje, por për ofensivë, dhe na rrezikon ne dhe Kroacinë.”
Çuko propozoi një strategji të trefishtë për sigurinë e Shqipërisë:
Shërbimi ushtarak i detyruar – si bazë për mobilizimin dhe përgatitjen e rinisë.
Sistemet mbrojtëse kundërajrore – përfshirë raketat me rreze mesatare dhe sisteme të provuara në luftën e Ukrainës (NASAMS, Iris, Aster).
Armë deterrence – përfshirë dronë dhe raketa me rreze të gjatë, të cilat mund të krijojnë “kill zones” dhe të pengojnë sulmet e mundshme.
Ai theksoi rëndësinë e arsimimit dhe ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare për këto sfida:
“Kohërat e qeta kanë mbaruar. Shoqëria, rinia dhe politika duhet të kuptojnë që sfidat po vijnë dhe të ndërmarrin masa proaktive.”
Eksperti gjithashtu foli për bashkëpunimin rajonal me Kroacinë dhe Kosovën, duke e parë atë si një strategji për të rritur kapacitetin mbrojtës dhe fuqinë politike:
“Armiku i armikut tim është miku im. Aleanca me Kroacinë dhe bashkëpunimi me Kosovën janë hapat e parë për forcimin tonë strategjik.”
Çuko përfundoi duke nënvizuar se fuqia dhe aftësia për t’u mbrojtur janë tani kriteret kryesore të politikës rajonale:
“Fuqia ka vlerë. Të fortit vendosin dhe të dobëtit duhet të jenë të përgatitur. Shqipëria duhet të projektojë fuqinë e saj për t’u mbrojtur.”/K.C/dritare.net