Çfarë duhet të ndryshohet te sporti shqiptar? Propozimi i avokatit për ministren Kumbaro
Dritare.net

Avokati shqiptar në Francë, Hans Nallbani, i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV ka folur për nevojën e reformimit të sportit në Shqipëri dhe përfshirjen më të madhe të diasporës në zhvillimin institucional dhe akademik të tij. Duke sjellë eksperiencën e tij nga Franca në fushën e drejtësisë së sportit, Nallbani theksoi se Shqipëria nuk ka nevojë të kopjojë sistemet e huaja, por t’i përshtasë ato me realitetin e saj:
“Nuk është ideja të marrësh çdo gjë nga jashtë dhe ta implementosh siç është. Duhet të kuptosh realitetin e Shqipërisë dhe të ndërtosh zgjidhje që i përshtaten vendit. Sistemi francez është ndërtuar mbi filozofinë dhe nevojat e Francës. Ne duhet të shohim si mund të përshtaten këto modele me realitetin shqiptar, jo t’i kopjojmë verbërisht."
Ai u ndal veçanërisht te çështja e dhunës në sport, duke propozuar krijimin e mekanizmave më të fortë institucionalë:
“Duhet të kemi mjete konkrete për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në sport, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Kjo kërkon bashkëpunim të ngushtë mes federatave dhe shtetit.”
Sipas tij, një nga problemet kryesore mbetet mungesa e koordinimit mes institucioneve sportive dhe shtetërore, ndërsa modeli francez që ai njeh nga afër tregon rëndësinë e një sistemi të integruar.
Ai theksoi se angazhimi i tij ndër vite në mësimdhënie universitare dhe në reforma institucionale në vende të ndryshme i ka dhënë një këndvështrim të gjerë mbi mënyrën se si mund të ndërtohen ura bashkëpunimi mes shteteve.
“Nga eksperienca ime në Francë dhe në mësimdhënie universitare, besoj se ka hapësirë reale për bashkëpunim mes dy vendeve,” u shpreh Nallbani.
Një nga propozimet e tij konkrete lidhet me arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor:
“Do të ishte mirë të krijoheshin diploma të përbashkëta midis dy shteteve, ose të silleshin studentë nga Shqipëria si doktorantë në Francë, duke u dhënë bursa merite. Po ashtu, mund të organizohen konferenca të përbashkëta. Kam pasur edhe unë këtë mundësi gjatë doktoraturës, kur drejtuesit e tezës, që janë penalistë dhe ekspertë në drejtësi mjekësore, më propozuan të shkoja në Shqipëri për të bërë një konferencë bilaterale. Mundësitë janë, por duhet vetëm që të ketë vesh që dëgjojnë.”
Nallbani theksoi gjithashtu rolin e diasporës si një burim i rëndësishëm ekspertize:
“Çdo shqiptar i diasporës ka dëshirë të kontribuojë për vendin e tij. Është e rëndësishme të ndajmë dijen dhe përvojën për zhvillimin e Shqipërisë.”
Ai shtoi se investimi më i rëndësishëm për sportin shqiptar nuk është vetëm infrastruktura, por njerëzit:
“Investimi më i madh është investimi në dije dhe në edukimin e profesionistëve të sportit.”
Në fund, Nallbani apeloi për bashkëpunim të hapur mes Shqipërisë dhe ekspertëve shqiptarë jashtë vendit, duke e parë sportin si një fushë që mund të lidhë institucionet, akademinë dhe diasporën në një strategji të përbashkët zhvillimi./K.C/dritare.net