Na ndiqni edhe në

Shqip

Çfarë urdhëroi Mediu për municionet në Rinas, pasi gazetari i New York Times e pyeti për lidhjen me AEY !

Çfarë urdhëroi Mediu për municionet në Rinas, pasi

Gazetari amerikan, Guy Lawson, i cili ka shkruar librin për Gërdecin, “Armët dhe çunat”, në intervistën e tij me Rudina XHungën, thotë se për të hetuar deri në fund Gërdecin nuk ka interes as qeveria shqiptare dhe as ajo amerikane, e cila ka qenë e përfshirë në aferën që solli tragjedinë me 26 të vdekur.

Pjesë nga intervista:

Dritare.net: A ishte i përfshirë ambasadori Withers?

– Ai nuk pranoi të fliste për këtë, në diktofon, sepse nuk dëshironte të ishte i përfshirë në ndonjë mënyrë në këtë libër, por mund t’ju them se nuk kam gjetur asgjë për të, në kërkimin tim. Unë gjithashtu besoj, dhe mendoj se është e drejtë të thuhet, se ai ndjehej keq për atë që ndodhi në Gërdec dhe do të donte të ndihmonte Shqipërinë të çlirohej nga kjo kulturë korrupsioni. Kështu që nuk e shoh atë si dikë të përfshirë.

Mund t’ju tregoj një histori. Ndodhi që një reporter i New York Times, erdhi në Tiranë në vitin 2008, pasi Kosta Trebicka kishte folur për New York Times. Gazetari shkoi për të intervistuar ministrin e Mbrojtjes, Mediu, në Ministrinë e Mbrojtjes. Mediu mendoi se ky do të ishte një moment ku ai do të shfaqej në gazetën New York Times dhe mendoi se do të fliste për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO etj.

Ata filluan intervistën dhe gazetari menjëherë i tha se kishte dijeni për lidhjen e tij me AEY, se ishte në dijeni që fishekët bliheshin për 2 cent dhe shiteshin për 4 cent dhe e pyeti se ku kishin shkuar ato miliona dollarë nga diferenca e tyre.

Ministri Mediu e pa çuditshëm, bërtiti e ulëriti. E gjithë kjo është filmuar nga një kameraman i ri shqiptar që punonte në Ministri. Atë natë Mediu, kërkoi një takim me ambasadorin Withers. Ajo që ndodhi në atë takim është subjekt i disa polemikave, por e sigurt është se ndodhi një gjë; Mediu urdhëroi që të gjitha municionet e kalibrit të vogël AK-47 në aeroportin e Tiranës të zhvendoseshin, në mënyrë që kur gazetari i New York Times të shkonte të nesërmen, të mos i gjente.

Ato u zhvendosën gjatë gjithë natës dhe e dini se ku përfunduan? Në Gërdec, sepse Gërdeci ishte një vend ku mund të fshihje çdo gjë. Pra, ky është një nga rastet ku mund të them se ambasadori Withers kishte dijeni se ministri i Mbrojtjes, në mënyrë aktive, po përpiqej të mashtronte dhe të fshihte këtë gjë nga New York Times.

Si gazetar nuk mendoj se është e përgjegjshme të nxjerrësh konkluzione, kur nuk mund ta bësh dot, por ka më shumë se një dyshim se brenda ambasadës kishte përfshirje. Në rast se ambasadori nuk merr masa specifike, kjo nuk do të thotë se Ambasada nuk është në dijeni për atë që po ndodh.

Dritare.net: Po kush ishte i përfshirë atëherë?

“Kemi miliona dollarë të zhdukur nga çmontimi i një grumbull municionesh të tepërta, kemi 26 civilë të vrarë; keni një njeri, Kosta Trebickën, i cili i tregoi të vërtetën pushtetit, që e çoi të vërtetën tek Neë York Times dhe më pas në Pentagon, e në fund tek Departamenti i Drejtësisë në Amerikë dhe asnjëri prej tyre nuk donte t’ia dinte për të vërtetën.

Në fakt, kjo iu kthye për keq atij. Pra, ajo që dua të them është se struktura e korruptuar politike në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë amerikane në lejimin e atij korrupsioni, bënë që zyrtarët shqiptarë nuk mbajtën përgjegjësi dhe individë të caktuar dolën të fituar nga kjo skemë multimilionë dollarëshe.

Dritare.net. Asgjë nuk fshihet dot përgjithmonë. Mendoni se faktet do të dalin një ditë?

– Nevojitet guxim për t’i bërë ballë. Është e lehtë për mua si një gazetar në Amerikë që të jem i guximshëm, për t’i detyruar njerëzit të thonë të vërtetën, por e di gjithashtu se për një gazetar shqiptar është shumë më e vështirë.

Nëse shikoni rastin e Kosta Trebickës dhe vdekjes së tij në rrethana shumë të dyshimta në një aksident me makinë, i cili nuk është hetuar siç duhet, kuptoni se çfarë ndodh nëse përpiqesh të thuash të vërtetën dhe t’i bësh ballë këtyre njerëzve.

Pra, mendoj se nevojitet pak diplomaci e vërtetë nga ana e qeverisë amerikane, për të folur jo vetëm për dëshirën e një qeverisjeje të hapur dhe të ndershme në Shqipëri, por për të bërë përgjegjës zyrtarët.

Nevojitet diçka më shumë nga vetë Edi Rama dhe njerëzit rreth tij. Shkoni pyesni pse nuk keni nxitur të hapet një hetim; çfarë ka ndryshuar; pse ajo që ndodhi në Gërdec nuk është më kuptimplotë; pse nuk kanë më rëndësi jetët e njerëzve; nuk ka më rëndësi Kosta Trebicka

Shpresoj të mund të bëjmë diçka për të zbuluar të vërtetën, por realiteti është se si qeveria shqiptare ashtu edhe qeveria amerikane, të dyja ndajnë interesin për ta mbajtur atë sekret./ dritare.net