Ish-ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde: Jam e turpëruar nga sjellja e BE ndaj Shqipërisë!
Dritare.net

Gazetarja Rudina Xhunga në emisionin “Shqip” në DritareTV, në një bisedë me deputetin suedez me origjinë shqiptare Arbër Gashi, u ndal te një diskutim i rëndësishëm mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i sjellë në vëmendje nga vetë Gashi përmes një reflektimi mbi deklaratat e ish-ministres së Jashtme suedeze Ann Linde.
Gjatë bisedës, u risoll një deklaratë e fortë e saj, ku Linde ka kritikuar mënyrën se si Bashkimi Evropian ka trajtuar procesin e zgjerimit.
Ajo thoshte, mes të tjerash, se ndihej “e turpëruar nga sjellja e Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi”, duke theksuar se procesi i integrimit nuk është udhëhequr gjithmonë mbi baza meritore, por shpesh është ndikuar nga faktorë gjeopolitikë.
Në diskutim u theksua se, pavarësisht reformave të ndërmarra nga Shqipëria dhe vendet e rajonit, procesi i integrimit ka qenë i ngadaltë dhe shpesh i bllokuar, duke krijuar zhgënjim si në opinionin publik, ashtu edhe në vetë qarqet politike evropiane.
Gashi nënvizoi ndërkohë rëndësinë e vazhdimit të reformave nga Shqipëria jo vetëm për shkak të kërkesave të Brukselit, por edhe për përmirësimin real të jetës së qytetarëve, forcimin e institucioneve, luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e standardit ekonomik./K.C/dritare.net