Jam shqiptar jo kosovar! Pse shpërtheva në samitin e Diasporës! Flet Jon Bislimi!
Dritare.net

Gjatë Samitit të Katërt të Diasporës shqiptare, një moment i veçantë tërhoqi vëmendjen e publikut, kur i riu Jon Bislimi, ngriti shqetësimin për mënyrën se si po trajtohet identiteti i shqiptarëve në diasporë.
Joni, i lindur në Lion të Francës dhe i gjeneratës së tretë të mërgatës, reagoi ndaj përdorimit të termave “kosovarë” dhe “shqiptarë” si ndarje të veçantë, duke theksuar se një gjuhë e tillë, sipas tij, krijon ndasi artificiale brenda kombit shqiptar.
“Jam shqiptar i Kosovës, nuk jam kosovar si identitet i ndarë. Nuk e shoh si të drejtë që të flasim për kosovarë dhe shqiptarë si dy gjëra të ndryshme,” u shpreh ai sot për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin Shqip në DritareTV, duke shtuar se semantika e përdorur në debate publike rrezikon të thellojë ndarjet mes shqiptarëve të rajonit dhe diasporës.
Ai solli si argument historinë e shqiptarëve në Kosovë, duke theksuar se lufta dhe rezistenca nuk lidhen me ndarje identitare, por me identitetin e përbashkët shqiptar.
“Gjenocidi në Kosovë nuk ka ndodhur sepse kemi qenë kosovarë, por sepse kemi qenë shqiptarë,” tha ai, duke theksuar nevojën për një qasje më unifikuese në përfaqësimin e diasporës.
Gjatë intervistës, Bislimi foli edhe për përvojën e tij personale, duke treguar se është lindur në Francë, studion për drejtësi dhe është i angazhuar në organizata studentore shqiptare në Lion. Ai tha se diaspora e re shpesh etiketohet si “idealiste", por sipas tij, idealizmi është forcë dhe jo dobësi.
“Çfarë ka të keqe të jesh idealist? Historikisht, idealistët kanë ndryshuar Evropën dhe kanë nisur lëvizje të mëdha shoqërore,” u shpreh ai.
Duke folur për diasporën shqiptare, Bislimi theksoi se mërgata nuk duhet parë vetëm si burim financiar apo statistikë, por si një pjesë aktive e kombit që duhet të përfshihet në vendimmarrje, rrjetëzim dhe bashkëpunim institucional.
Ai propozoi gjithashtu forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Kosovës dhe diasporës përmes forumeve të përbashkëta studentore dhe profesionale, si dhe institucionalizimin e mësimit të gjuhës shqipe në mërgatë.
Në fund, ai u shpreh se angazhimi i tij dhe i shumë të rinjve në diasporë nuk bëhet për mirënjohje, por për ndjenjën e përgjegjësisë ndaj vendit të origjinës.
“Kur të thërret Shqipëria apo Kosova, ne jemi aty. Nuk është çështje politike apo personale, por një lidhje që nuk shkëputet,” përfundoi ai./K.C/dritare.net