Na ndiqni edhe në

Shqip

Letra që i shkrova Ramiz Alisë nga internimi! Flet Bashkim Shehu!

Letra që i shkrova Ramiz Alisë nga internimi! Flet Bashkim Shehu!

Ishte 23 tetor 1989 kur djali i vogël i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, Bashkim Shehu, asokohe në internim, i shkroi një letër drejtuesit të shtetit, Ramiz Alisë me anë të së cilës shprehte rezervat e tij për regjimin.

“Regjimi që mbretëron te ne shkel hapur e brutalisht të drejtat e njeriut dhe kujtohet për to vetëm kur akuzohet nga Perëndimi”, thuhej ndër të tjera në letër.

I ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV, zoti bashkim Shehu thotë se kur i shkroi letrën Ramiz Alisë e mori parasysh edhe faktin se do të dënohej sërish, por shprehet ai nuk mund të heshtja më sepse situata ishte e skajshme.

“Kur i shkrova letrën Ramiz Alisë e mora parasysh edhe që mund të ridënohesha. Ishte një ndjenje rebelimi që nuk e mbaja dot më. Situata ishte e skajshme, nuk isha në një situatë normale. Ishte pozita e një njeriu që ishte i dënuar, i internuar dhe kisha dalë hapur që isha kundër regjimit. Kisha gjëra për të thënë.”, tregon zoti Bashkim Shehu në DritareTV.

Më poshtë ju sjellim letrën e Bashkim Shehut, drejtuar Ramiz Alisë më 23 tetor 1989!

Dokumenti

Letër e hapur

Kryetarit të Partisë dhe shtetit, Ramiz Alia, dhe sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH për Çështjet Ideologjike dhe Propagandën, Foto Çami

Të respektuar zotërinj,

Ashtu si shumë qytetarë të tjerë, edhe unë e ndoqa me vëmendje fjalimin programatik të mbylljes së Plenumit VIII të KQ të PPSH. Të shumtë ishin ata që e morën fjalën në mjetet e propagandës zyrtare për të shprehur çka i intereson propagandës zyrtare, ndërsa unë, në përputhje me mundësitë e mia, e shkruaj këtë letër të hapur për të denoncuar botërisht disa të vërteta të hidhura, edhe pse ato nuk i interesojnë regjimit; të vërteta të ndaluara nga aparati represiv dhe të heshtura nga aparati i propagandës së këtij regjimi.

Si qytetar i vendit tim dhe si njeri me mendime të lira, marr përgjegjësinë morale mbi vërtetësinë e fakteve të përmendura e për të mbrojtur botërisht pikëpamjen time, si dhe përgjegjësinë penale për të vuajtur çdo pasojë që mund të ketë për mua denoncimi i këtyre të vërtetave.

1. Në fjalimin e rëndësishëm që erdhi si sintezë programatike në mbyllje të punimeve të Plenumit VIII të KQ të PPSH, vihet theksi veçanërisht edhe te stabiliteti politik e ekonomik i vendit tonë.

Sa për stabilitetin ekonomik, i cili nga ana tjetër është një fakt i pamohueshëm, do të vija në dukje se një stabilitet i këtillë është tipar i çdo ekonomie autarkike, dhe po t’i referohemi historisë, do të gjenim edhe në komunat fshatare përgjatë gjithë Mesjetës që prodhonin aq sa u nevojitej për të konsumuar, duke parafrenuar kësisoj vetvetiu zgjerimin e rrethit të nevojave të konsumit, e rrjedhimisht duke shtrënguar në një rreth të hekurt zhvillimin e forcave prodhuese, që, siç dihet, është trualli i domosdoshëm i çdo zhvillimi. Por, për çështje të ekonomisë nuk do të zgjatem këtu.

Kurse në lidhje me stabilitetin politik të vendit tonë, gjithë duke e ripohuar këtë fakt pa rezerva, do të bashkërenditja fenomenin e qetësisë sociale, si normalitet të shoqërisë sonë dhe si fenomen korrelativ në raport kondicionimin biunivok ndaj të parit: Demonstratat e protestës dhe grevat, politike apo thjesht ekonomike qofshin, janë po aq të largëta për këtë shoqëri, sa edhe gjallesat e ndonjë planeti tjetër, ndërsa atentatet terroriste, aktet e sabotazhit, apo çdo lloj aktiviteti subversiv, kanë realitet vetëm nëpër fantazmagoritë e deliriumeve të ndryshme hetusore apo gjyqësore (mbase, kushedi, edhe me ndonjë përjashtim të rrallë, që, siç do të thoshte Seneka, përforcon rregullin!).

Mirëpo, një gjendje e këtillë mungese kundërshtimi ndaj një pushteti, ashtu sikurse mund të jetë -fundja dhe teorikisht – tregues i një konsensusi popullor total, jo më pak mund të jetë, – çka e dëshmon në mjaft raste historia- tregues i një represioni total.

Cili nga të dy termat e kësaj alternative i përgjigjet normalitetit të shoqërisë sonë dhe stabilitetit politik që ngrihet mbi të dhe që për efekt ndërveprimi reciprok ndikon në ruajtjen e tij?

Ose shprehur në gjuhën e Erich Fromm-it: A është kjo shoqëri me të vërtetë një “sane society” apo stabiliteti politik shqiptar është një stabilitet i paguar me çmimin e lirisë dhe normaliteti i shoqërisë sonë s’është veçse një “normalitet patologjik”?

2. Për të mos i dhënë kësaj alternative një zgjidhje me partipris, mendoj se zgjidhja e saj duhet të kalojë pashmangësish nëpërmjet një përgjigjeje ndaj pyetjeve të mëposhtme: Si mund të shpjegohet që ende sot, mbas 45 vjetësh nga rënia e ancient regime, dhe në kushtet e stabilitetit politik e të një qetësie sociale shembullore, numri i të burgosurve politikë në Shqipëri është proporcionalisht (si numër në raport me tërë popullsinë) i përafërt me numrin e të burgosurve politikë në Argjentinë aty nga fundi i viteve ’70, d.m.th. pak kohë mbas golpe-s në kushtet e jashtëzakonshme të një diktature ushtarake të sapovendosur?

Si mund të shpjegohet politikisht dhe sociologjikisht që nëse në Korenë e Jugut, në paroksizmin e diktaturës së Cun Du Thuanit të karakterizuar nga demonstrata masive që po e shpejtonin agoninë e asaj diktature, nxitësit apo organizuesit e një demonstrate mund të dënoheshin me jo më tepër se deri 7 vjet burg, -në Shqipëri, në kushtet e stabilitetit politik e të një qetësie sociale shembullore një njeri mund të dënohet me 10 vite burg për “agjitacion e propagandë”, pra, për të vetmin faj pse ka shprehur pikëpamje heterodokse, le pastaj për rastet kur një njeri edhe në këtë aspekt është krejt i pafajshëm?

Si mund të shpjegohet politikisht dhe historikisht, që në praktikën e internimeve për motive politike regjimi ekzistues në Shqipëri mbetet ende në fund të shekullit XX, një trashëgimtar i denjë, e tashmë ekskluziv në shkallë europiane, i dinastisë mesjetare të Romanovëve?

Dhe për t’u rikthyer te krahasimet në rrafsh bashkëkohor me terrorizmin shtetëror të markave të huaja (jo për apologji ndaj këtyre të fundit, por për t’ua kundërvënë këto fakte apologjive pompoze të propagandës së regjimit bashkëkohor shqiptar e për të fokusuar, ashtu sa më qartë, përmasat e terrorizmit shtetëror të markës shqiptare): ndërsa në Afrikën e Jugut mbahet në burg prej 26 vitesh një Nelson Mandela, fjala e të cilit e çon peshë gjithë kombin e tij dhe në një situatë kur lëvizja e këtij populli pritet ta shkallmojë nga themelet aparteidin, pse te ne në Shqipëri, në një situatë të qetë e të stabilizuar, mbahen burgjeve me cilësinë e të burgosurve politikë dhe me afate afërsisht po aq të gjata sa të Mandelës jo një, po me dhjetëra fatkeq, të cilët nuk kanë pasur e nuk kanë kurrfarë influence politike, kurrfarë ideje dhe, pra, kurrfarë qëllimi politik? (Madje në një pjesë të mirë, a ndoshta më së shumti, fshatarë ose punëtorë që i kanë a nuk i kanë katër klasë fillore.)

3. Pra, nga njëra anë, kemi një situatë sociale të qetë, pa trazira, një stabilitet socio-politik 45-vjeçar, që i detyrohet, le ta supozojmë, konsensusit të përgjithshëm të popullit, kurse, nga ana tjetër, masa shtrënguese si rrallë në ndonjë tjetër diktaturë, me eksese veçanërisht karakteristike për gjendje krizash. Mirëpo është krejt e pakonceptueshme që një pushtet, i cili, përveç dispozitivit ushtarako-policor dhe monopolist të masmediave, ka në anën e vet konsensusin e popullit, atë çka propaganda zyrtare e quan “unitet i popullit rreth Partisë”, të rrezikohet nëse 1200-1400 individëve, pra, një magnitude evanes cent në raport me popullin, – në vend që të mbaheshin të rrethuar nga telat me gjemba e nga mitraloza, do t’u lejohej të jetonin nëpër shtëpitë e tyre, apo nëse një pakicë gjithë po aq irrelevante në raport me popullin do të kishte mundësinë të shprehej lirisht, haptazi kundër këtij pushteti.

Sepse është krejt e pakonceptueshme që një pushtet të përmbyset vetëm nga fjalët (madje nga fjalë që askush nuk do t’ua vinte veshin), si të ishin këto fjalë trumbetat që përmbysën muret e Jerikoit. Atëherë, për çfarë nevojiten në vendin tonë, në shoqërinë tonë tepër të qetë, pa trazira, të gjitha ato shtrëngime që u përmendën?

Kë kanë ato për objekt? Ndoshta mbi një fenomen të tillë, paradoksal në dukje, do të hidhte dritë një pyetje tjetër: ndërsa në të gjitha shtetet e botës, duke përfshirë edhe BRSS-në, edhe shtetet e tjera staliniste të viteve ‘40-‘50, arratisja jashtë shtetit gjithmonë është dënuar si krim ordiner për shkelje kufiri, me afate burgimi relativisht të shkurtra (e po kështu, me sa di unë, edhe në Shqipëri, në fillimet e nouveau regime), përse te ne, në Shqipëri, arratisja jashtë shtetit dënohet si tradhti ndaj atdheut, pra, deri në pushkatim, dhe, si të mos mjaftonte kjo, vitet e fundit, përmbi ata që tentojnë të arratisen, që nuk janë të paktë e as nuk po pakësohen, herë pas here qëllohet me armë, bile ndonjëherë edhe kur ndodh që mund të kapen?

Dhe pastaj ekspozohen, ashtu të masakruar, para popullit dhe para të afërmve të tyre! Për çfarë nevojiten të tilla monstruozitete dhe kë kanë ato për objekt? (Mund të vërehet, dhe jo pa njëfarë të drejte, se te ne arratisja merr karakter politik, sepse s’mund të ndërmerret veçse për motive politike; mirëpo çdo shprehje e kundërshtimit politik, apo e pakënaqësisë lidhur me politikën, nuk përbën tradhti ndaj atdheut).

4. Nuk arrij ta marr me mend se si i vlerësoni ju, të respektuar zotërinj, këto fakte, që patjetër duhet t’i dini fort mirë.

Dhe, për më tepër, nuk kam arritur të marr me mend se si i vlerësonte të tilla fakte as babai im, ish-Kryeministri Mehmet Shehu, i cili patjetër ka përgjegjësi në lidhje me to, si një nga krimet historike të këtij regjimi (paçka se propaganda zyrtare e këtij regjimi, duke e akuzuar për krime fiktive, e ka shkarkuar kësodore nga kjo përgjegjësi për krime reale).

Por sido që t’i vlerësoni ju dhe pavarësisht se si do t’i ketë vlerësuar babai im, unë s’mundem veçse të pohoj me gjithë zërin se këto fakte përbëjnë një tregues të qartë e të shëmtuar të një terrorizmi shtetëror, i cili nuk ka për objekt as ekskluzivisht dhe as kryesisht një pakicë irrelevante të izoluarish nga shoqëria, që i vuajnë drejtpërdrejt deri në kockë ekseset e tij, po ka për objekt tërë shoqërinë, gjithë popullin. E ritheksoj: gjithë popullin! Sepse kur një regjim kufizon me anë të dhunës lirinë e shprehjes së pikëpamjeve politike (dhe jo vetëm politike), kjo do të thotë se ai nuk e di se çfarë përmasash do të mund të merrte influenca e pikëpamjeve që këtë regjim e kontestojnë (dhe nuk e di sepse, duke e kufizuar lirinë e fjalës, e ka dënuar veten që të mos e dijë këtë).

Gjithashtu, në qoftë se një regjim e pengon me mjete dragoniane largimin e shtetasve të vet për në shtete të tjera, edhe pse ata shtetas që dëshirojnë të largohen janë gjithsesi të padëshirueshëm për të, kjo do të thotë se ky regjim e di që largimi për në shtetet e tjera mund të merrte përmasat e një eksodi përfundimisht diskreditues. Me një fjalë, kjo padije dhe dije e regjimit provojnë se rrezja e veprimit terrorizues të tij ka si limit tërësinë e qytetarëve të RPSSH-së./K.C/dritare.net