Më ndihmoni të kthehem në Shqipëri! Flet Mark Bajri!
Dritare.net

I ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV, ish i burgosuri politik Mark Bajri rrëfeu historinë e tij të gjatë dhe të dhimbshme, nga burgjet e komunizmit deri tek emigrimi në Londër, ku sot punon si taksist. Pavarësisht jetës së ndërtuar jashtë vendit, ai thotë se dëshira e tij e vetme është të kthehet dhe të jetojë me dinjitet në Shqipëri.
“Unë jetoj mirë në Angli, por zemra më çon në Shqipëri. Nuk kërkoj shumë, vetëm një shtëpi të vogël që të jetoj e të vdes në vendin tim”, u shpreh Bajri.
Arratisja dhe burgjet e komunizmit
I lindur në Buçaj të Tropojës, Bajri tregoi se në vitin 1985 u detyrua të arratisej për shkak të varfërisë dhe mungesës së perspektivës. Ai kaloi kufirin drejt Kosovës, por u arrestua nga autoritetet jugosllave dhe më pas u kthye në Shqipëri, ku u dënua me 25 vite burg politik.
Ai rrëfeu se përjetoi kushte ekstreme në burgjet e kohës, përfshirë kampin e punës në Qafë Bari, ku të burgosurit detyroheshin të punonin në miniera në kushte çnjerëzore.
“Kam hyrë në biruca 84 kilogramë dhe dola 40 kilogramë. Ishte tmerr. Familjen ma internuan në Vlorë dhe për vite nuk dija asgjë për ta”, tregoi ai. Bajri tha se për të shmangur punën e detyruar në minierë, ai plagosi qëllimisht dorën, duke mbetur me pasoja të përhershme fizike.
Liria dhe emigrimi në Angli
Pas lirimit në vitin 1991, Bajri u përball me vështirësi të mëdha ekonomike dhe sociale. Sipas tij, familja ishte shpërndarë, ndërsa shtëpia ishte shkatërruar. Më vonë, ai emigroi në Angli në vitin 1995, ku ndërtoi një jetë të re. Ai tregoi se fillimisht punoi si shofer autobusi dhe prej 17 vitesh punon si taksist në Londër. Sot është pensionist, por vazhdon të punojë pjesërisht.
“Kam ndërtuar jetën time atje, kam marrë edhe fëmijët, por nuk ndihem i plotësuar. Dua të kthehem në Shqipëri”, tha ai.
Apeli për shtetin shqiptar
Në intervistë, Bajri bëri thirrje për ndihmë për ish të burgosurit politikë, duke theksuar se shumë prej tyre jetojnë në kushte të vështira. Ai tha se kërkesa e tyre është minimale: një pension dinjitoz dhe mundësia për një banesë.
“Jemi pak të mbetur gjallë. Nuk kërkojmë pasuri, vetëm një mundësi për të jetuar me dinjitet në vendin tonë.”, tha Bajri.
Ai shtoi se, edhe pse ka pasaportë britanike dhe pension nga Anglia, dëshira e tij mbetet Shqipëria.
“Edhe sikur të isha kryeministër i Anglisë, nuk do të isha i lumtur pa jetuar në Shqipëri.”, përfundoi ai./K.C/dritare.net