Qemal Minxhozi: Pa stabilitet politik, Kosova rrezikon shumë
Dritare.net

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, deklaroi në emisionin “Shqip nga Dritan Hila” në DritareTV se Kosova nuk është më në fokusin e diplomacisë ndërkombëtare si dikur, ndërsa theksoi se krizat e brendshme politike kanë ndikuar në këtë situatë.
Minxhozi u shpreh se dikur Kosova ishte një nga prioritetet kryesore të diplomacisë perëndimore, ndërsa sot ka kaluar në plan të dytë apo të tretë.
“Dikur Kosova ishte në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, ndërsa sot ka kaluar në plan të dytë apo të tretë. Kjo është një situatë që duhet të na shqetësojë,” tha ai.
Sipas tij, mungesa e unitetit politik është një nga arsyet kryesore që ka çuar në këtë situatë.
“Kur politika është e përçarë, edhe mesazhi që jepet jashtë është i dobët. Kosova nuk ka luksin të qëndrojë gjatë në kriza politike,” theksoi Minxhozi.
Ai u ndal edhe te procesi i zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se ky është një moment i rëndësishëm për funksionimin e shtetit.
“Zgjedhja e presidentit duhet të jetë një proces që garanton stabilitet. Pa stabilitet politik, është e vështirë të ecësh përpara,” u shpreh ai.
Minxhozi theksoi gjithashtu se Kosova duhet të shfrytëzojë më mirë momentet ndërkombëtare dhe të rrisë bashkëpunimin politik.
“Ky është momenti që kërkon bashkëpunim dhe vizion. Vetëm kështu Kosova mund të forcojë pozicionin e saj ndërkombëtar,” përfundoi ai./K.C/dritare.net