
Zbulohet e vërteta mbi Luftërat Ballkanike! Studiuesi Përparim Rexhepaj: Shqiptarët nuk i masakruan ushtarët serbë!
Dritare.net
Në një intervistë për Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, studiuesi ushtarak Përparim Rexhepaj diskutoi për periudhën pak të studiuar të historisë shqiptare, që lidhet me formimin e shtetit shqiptar dhe ndikimin e luftërave ballkanike. Ai theksoi se shumë nga studimet mbi këtë periudhë janë bërë nga historiografia serbe dhe malazeze, duke dokumentuar sulmet ndaj qyteteve shqiptare, si Durrësi, Shkodra dhe Janina.
Rexhepaj sqaroi disa mite historike, duke theksuar se pas ofensivës së dytë të Drinit, shqiptarët nuk kanë masakruar ushtarët serbë që tërhiqeshin, dhe madje ekzistuan akte humanizmi ndaj tyre:
"Ka legjenda urbane që shqiptarët masakruan serbët gjatë tërheqjes, por kjo nuk ka ndodhur. Madje, ka dokumente dhe foto që tregojnë aktet e humanizmit ndaj ushtarëve të mundur serbë." – thotë Rexhepaj.
Ai përmendi statistikat austro-hungareze, sipas të cilave para Luftës Ballkanike, elementët shqiptarë përbënin shumicën e popullsisë në vilajetet shqiptare:
"Vilajeti i Shkodrës me një sipërfaqe prej 8.190 km² kishte 241 mijë banorë, prej të cilëve 91,2% shqiptarë; Vilajeti i Janinës me një sipërfaqe prej 16.664 km² kishte 510.000 banorë, nga të cilët 66% shqiptarë myslimanë dhe 33% ortodoksë, shumica shqiptarë."
Rexhepaj gjithashtu foli për përgatitjet diplomatike të Ismail Qemalit dhe mobilizimin e liderëve shqiptarë për shpalljen e pavarësisë në vitin 1912:
"Me 12 janar 1912, në Stamboll, liderët shqiptarë vendosën të organizojnë një kryengritje të armatosur për të parandaluar pushtimet e territoreve shqiptare dhe për të mbrojtur sovranitetin e tyre."
Ai evidentoi gjithashtu se gjatë luftërave, shumë ushtarë shqiptarë luftuan në ushtritë greke, serbe dhe malazeze, shpesh kundër bashkëkombësve të tyre:
"Një pjesë e kontingjentit të ushtrisë greke, serbe dhe malazeze përbëhej nga shqiptarë, dhe ata shpesh u përdorën për të realizuar pushtimet e këtyre shteteve mbi territoret shqiptare."
Rexhepaj përfundoi duke theksuar rëndësinë e studimit të kësaj periudhe:
"Kjo periudhë mbetet ende e pazhvilluar në historiografinë shqiptare, por ndikimi i saj mbi formimin e shtetit shqiptar modern dhe tragjeditë e popullsisë shqiptare gjatë pushtimeve të huaja është i madh.", tha studiuesi ushtarak Përparim Rexhepaj në DritareTV./K.C/dritare.net

















