94 vjeçari, që punoi 40 vjet teknik perimesh: Ja plehu që përdorja unë!
Dritare.net
Lefter Nerënxa është një zotëri 94-vjeçar, që Dritare Tv e takoi në shtëpinë e tij tij dy shekullore në Dhoksat të Lunxhërisë. Një ish-teknik perimesh i cili 40 vite të jetës ia kushtoi bostanit dhe specave.
Në një bisedë me gazetaren Rudina Xhunga, 94-vjeçari tregon se pse është e vështirë që në treg të gjejmë prodhim bio dhe pa hormone dhe si pleroheshin bimët në kohën e tij.
“Unë kam punuar si teknik perimesh, 40 vite jam marrë vetëm me kultivimin e shalqirit. Drejtoja të gjithë punëtorët se bëhej puna në 4 brigada. Kultivonim gjithçka, pjepër, patëllxhanë, speca, barbunja etj. Madje, specat i dërgonim për eksport në Gjermani.
Ishte zanat kjo punë, nga mbjellja te prodhimi deri tek eksporti. Ajo që nuk ishte për konsum, e ktheja mbrapsht.
Shalqirin që eksportoja unë, mbi 50 kuintalë në ditë, kur e krahasoj me kete tani, nuk i gjej as sheqer, as shije. Tani prodhohen me hormone, që të rritet më shpejt dhe të jetë i fortë, për të rezistuar deri në 15 ditë, ku maksimalja është dy ditë. I këpusin pa pjekur mire. Ne dikur nuk e bënim këtë. Nuk kishim hormone, as plehra. I vetmi pleh që përdornim qe ai organik i bagëtive. Vetëm ai përdorej për fruta-perimet.
Plehu ideal ishte ai i deleve dhe dhive. Edhe tani këtë bëj, ato përdor, kultivoj, pak në kopesht, në bahçen time. Më merr malli për atë kohë, kur i bëja të gjitha vetë. Por mosha tani, 94-vjeç, nuk më lejon, të kultivoj më tepër parcela”, tregon Lefter Nerënxa, ndërsa zonja e tij lunxhiote na qeras me liko shtëpie bërë nga frutat e oborrit në Dhoksat./M.K-dritare.net