Na ndiqni edhe në

Opinione

Jola Hysaj: Paska mbetur Shqipëria ta shpëtojë motra majtiste e Italisë!

Nga Jola Hysaj

Kam qenë pjesë e protestave për 13 vite. Me PD kundër Edi Ramës që të jemi të qartë, se e di që në këtë kohë “protestuesish” me libër shtëpie do i turren këtij postimit tim. S’e kam problem se s’do jetë hera e parë, po aman vetëm patronazhiste mos më bëni se s’i duroj dot!

Tani më falni po kjo motra majtiste nga Italia çfarë do këtu në Shqipëri?

Halli është se unë që jam e djathtë dhe nuk e honeps fare këtë protestë, po ndihem keq që paska mbetur Shqipëria ta shpëtojë kjo komunistja e Italisë!

Ah po, bashkë me ca gjelbërushe të Gjermanisë dhe Hollandës, që e duan Shqipërinë rezervat natyror për turistët me bukë me vete! Punë e madhe se shqiptarët nga ky lloj turizmi fitojnë vetëm një copë bukë!

Po pse nuk paskemi të drejtën ne të kemi resorte luksoze, si ato ku shkojnë gjithë blogerat dhe artistat e protestës, që këtu përloten për flamingot, kurse nga Dubai apo Maldivet postojnë buzeqeshje nga suitat 10 mijë euro nata?!

Pse nuk u bëka dot edhe në Durrës një “ishull” si palma (që ne mund ta bëjmë shqiponjë po deshët ju patriotet part-time) dhe qenka më mirë të kënaqemi me “all-inclusive”-et e Golemit, ku hotelet luftojnë për mbijetesë duke kënaqur turmat e turistëve nga Lindja që më shumë sjellin ngarkesë mjedisore, se sa të ardhura domethënëse në ekonomi?!
Pastaj mirë dakord ambientalizmi, se e kam merak edhe vetë dhe kam bërë protestat e mia në Durrës kundër fushës kanceroze të plehrave që më në fund u mbyll. Po ça lidhje ka ambientalizmi me flamurin e Izraelit dhe me ato piskamat e asaj motrës tjetër nga Kosova, që na solli në bulevard dritën e liderit të saj shpirtëror Ajatollah Khamenei?!

Zoti na ruajtë nga kjo histeri e rrezikshme, se s’ka shans ta dojë askush nga këta Shqipërinë më shumë se sa unë, që tek kjo protestë i ndjej vërtetë ato duart që i lëvizin fijet e kësaj gjullurdie! Ato duar nuk duan ta çojnë më përpara Shqipërinë, kjo është shumë e qartë. As nuk duan t’i zgjidhin hallet e njerëzve që simpatizojnë këtë protestë, po thjesht duan t’i përdorin ato halle për ta./dritare.net